Thaçi: Integrimi i komuniteteve, një prej arriturave më të mëdha të Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se një prej të arriturave me të mëdha të Kosovës është integrimi i komuniteteve në Kosovë.
Këto komente kreu i shtetit i bëri në një takim me një delegacion të komunitetit egjiptian, të kryesuar nga deputeti Veton Berisha i Partisë Liberale Egjiptiane.
Me këtë rast, presidenti Thaçi e ka uruar komunitetin egjiptian për Javën Egjiptiane, për 24 Qershorin, i cili nga ky vit është zyrtarisht Ditë Memoriale e Egjiptianëve, si dhe për aktivitetet e shumta gjatë javës së kaluar.
“Një prej arriturave më të mëdha të Kosovës është integrimi i komuniteteve në shoqëri”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndërsa, deputeti Veton Berisha theksoi se Republika e Kosovës është shtet i gjithë egjiptianëve që jetojnë këtu dhe të gjithë janë të interesuar që të kontribuojnë sa më shumë që munden.
Presidenti Thaçi i falënderoi pjesëtarët e komunitetit egjiptian për kontributin e vazhdueshëm në shoqërinë tonë. /FaktePlus