Thaçi ia dedikon një “poezi” Albin Kurtit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia ka kushtuar një poezi kryeministrit, Albin Kurti, pas mbajtjes së seancës jashtëzakonshme të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës, për të diskutuar rreth raporteve SHBA-Kosovë.
Ai në një status të shkruar në faqen e tij zyrtare, Kurtin e ka quajtur frikacak, mashtrues, gënjeshtar e anti-amerikan, shkruan Reporteri.net.
Ndër të tjera presidenti Thaçi në poezinë e tij thotë se Kurti me djallëzinë e tij po përçan politikën dhe institucionet e Kosovës.
Ky është postimi i tij i plotë:
PËRPËLITJET E KURTIT
I frustruar, vazhdon gënjeshtrat dhe mashtrimet.
Frikacak dhe djallëzor, po përçan politikën dhe institucionet e Kosovës.
Përqesh dhe saboton shtetin.
Nuk ka guxim as ta heq taksën, as të vërë reciprocitetin.
I padinjitet.
Po angazhohet për shkatërrimin e aleancave historike.
Me paranojë flet për marrëveshje sekrete Kosovë-Serbi.
Qesharake për Kosovën.
Fyese dhe e rrezikshme për raportin e Kosovës me SHBA-në.
Rikujtoj:
Këtë qëndrim KUNDËR, Kurti e ka mbjellë në kohën e Konferencës së Rambujesë.
Ishte kundër administratës Klinton.
Edhe në Vjenë, kundër administratës Bush.
Edhe me demarkacionin me Malin e Zi kundër administratës Obama-Biden.
Edhe tash kur ofrohet një mundësi nga administrata e Presidentit Trump për njohje reciproke, Kurti përsëri kundër.
E vetmja konstante e Kurtit është të qenit në anën e kundërt të Amerikës.
Në anën e kundërt të historisë.
Populli i Kosovës ka besim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aleanca me SHBA-në është e shenjtë.
Ne të gjithë e kemi për detyrë ta mbrojmë. HTH