Thaçi i bindur se shpejti Kosova e Serbia do të përfundojnë dialogun me njohje
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka treguar vëmendje të madhe për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se letrat e Trump e kanë skicuar epilogun e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka treguar vëmendje të madhe për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Letrat e tij e kanë skicuar epilogun e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke”, ka shkruar Thaçi.
Thaçi beson se marrëveshja me Serbinë, me njohje, do të përmbyllet nën udhëheqjen e presidentit Trump.
“Nën udhëheqjen e presidentit Trump dhe punën e shkëlqyeshme të ambasadorit Grenell jam besimplotë se ky proces do të përmbyllet së shpejti me njohje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jemi të bekuar me përkrahjen e përhershme të SHBA-së për popullin dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë në fund Thaçi.