Thaçi: Bashkimi i Gjermanisë fitorja më e madhe politike paqësore në Evropë
Ka një javë që kryeqyteti gjerman, Berlin është kthyer në epiqendrën e aktiviteteve kryesore që shënojnë festimin e 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.
Për përvjetorin e 30-të të rënies së Murit të Berlinit, ka shkruar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përcjell FaktePlus.
Ai ka thënë se rrëzimi i këtij muri 30 vjet më parë, ishte fundi i luftës së ftohtë, rënie e Perdes së Hekurt dhe bashkim i Gjermanisë.
Postimi i tij i plotë:
Ndarja e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore ishte plagë e hapur në Evropë. Muri i Berlinit u bë simbol ku kufizoheshin bota e demokracisë perëndimore dhe ajo e diktaturës lindore. Rrëzimi i këtij muri 30 vjet më parë, ishte fundi i luftës së ftohtë, rënie e Perdes së Hekurt dhe bashkim i Gjermanisë.
Me rënien e Murit të Berlinit u sprovua epërsia e sistemit demokratik përballë atij komunist. Era e lirisë dhe demokracisë u përhap rrufeshëm në Evropën Lindore, por edhe në Ballkan.
Bashkimi i Gjermanisë ishte fitorja më e madhe politike paqësore në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore. Urime kombit gjerman! HTH/FaktePlus