Thaçi: A duhet ta presim edhe ditën kur t’i kërkojmë falje Serbisë për të zhdukurit tanë, dhunimet dhe spastrimin etnik?!
Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se si politikan, ai vet, por edhe të gjithë të tjerët në Kosovë kanë bërë gabime.
“Unë i pari dhe të gjithë udhëheqësit e partive në Kosovë që nuk kemi arritur ta ruajmë kohezionin”, ka thënë ai në fjalimin e tij pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale.
Thaçi ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare po përdorë standard të dyfishtë karshi Kosovës dhe Serbisë.
“Në Serbi ka rënë heshtja e varrit për krimet e luftës. Këtë e bën më të rëndë heshtja e bashkësisë ndërkombëtare. Jam angazhuar për dialog për paqe me Serbinë por nuk pajtohem me faktin për mijëra shqiptarë të zhdukur që të mos ketë deklarata minimale ndërkombëtare. A duhet ta presim edhe ditën kur duhet t’i kërkojmë falje Serbisë për të zhdukurit tanë, dhunimet dhe spastrimin etnik. Kjo pyetje absurde lindë natyrën sepse askujt në Serbi nuk i kërkohet llogari për krimet e luftës”.
Thaçi ka thënë se pavarësisht të gjithave do të angazhohet që të punojë për paqe dhe pajtim – edhe me Serbinë.