Tetë raste të kontaktit në Istog do të testohen për koronavirus, komuna po hulumton edhe të tjerë
Koordinatori i Shtabit Emergjent në Komunën e Istogut, Besart Dreshaj, ka bërë të ditur se bashkë me IKSHPK-në janë duke hulumtuar kontaktet e personave të cilët kanë rezultuar pozitiv me Covid-19.
Sipas tij, aktualisht janë tetë persona që pritet t’i nënshtrohen testimit për koronavirus.
Ai përmes një statusi në Facebook ka bërë të ditur se deri sot nga informacionet zyrtare janë 8 raste të konfirmuara pozitiv në Covid-19 në komunën e Istogut, prej të cilave një person ka vdekur, një person është shëruar, gjashtë raste janë nën kujdes e përcjellje dhe në vet izolim dhe rasti i ri i konfirmuar mbrëmë gjendet në Klinikë Infektive në Prishtinë.
Për të njëjtin thotë se 15 prilli ishte i shtrirë në Spitalin Regjional në Pejë për probleme neurologjike.
“Shtabi Emergjent Komunal në bashkëpunim me IKSHPK-në janë duke hulumtuar kontaktet e personave të cilët kanë rezultuar pozitiv me Covid 19 dhe aktualisht kemi 8 persona që priten të ju nënshtrohen testit! Shtabi Emergjent Komunal është duke punuar vazhdimisht dhe janë duke u bërë përpjekje maksimale që të realizojnë detyrat e tyre”, thuhet në njoftim.
Dreshaj njofton gjithashtu se Komuna e Istogut në bashkëpunim me Kryqin e Kuq janë duke iu dalë në ndihmë me pako ushqimore dhe higjienike familjeve në nevojë.
“Situata është nën menaxhim por jo për t’u injoruar prandaj ju lutemi të kemi kujdes të shtuar edhe pak, se gjithë bashkë do ja dalim”, ka shkruar tutje ai.