Testohen disa deputetë dhe punonjës të Kuvendit, sot priten rezultatet
Shpërthimi thuajse masiv i sëmundjes Covid-19 që e shkakton koronavirusi po vazhdon ende në Kosovë. Vetëm pardje u regjistruan 122 infektime e dje 79 tjera. Kjo rritje e madhe e infektimeve ka bërë që tani të prekur me këtë virus të jenë edhe punëtorë të institucioneve e kompanive të ndryshme publike e private në Kosovë.
Rritja e numrit të infektimeve me koronavirus ditët e fundit ka prekur pothuajse të gjitha komunat e Kosovës, madje edhe ato të cilat menduan se e fituan betejën me të.
E të prekur nga Covid-19 tashmë ka edhe nëpër institucione të ndryshme të vendit, si në nivelin komunal e deri tek organi më i lartë i vendit, Kuvendi i Kosovës.
Javën e kaluar i infektuar nga koronavirusi doli të jetë deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit edhe shef i grupit parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi.
“Me simptoma të lehta si kokëdhembje e temperaturë, dje shkova të testohem në repartin e Infektives. Unë dhe familja ime dje rezultuam pozitiv me COVID-19, dhe për pasojë, do të jemi në izolim shtëpiak dyjavor”, pati shkruar Gashi në rrjetin social.
E i infektuar në Kuvendin e Kosovës doli të jetë edhe sekretari, Ismet Krasniqi, i cili supozohet se ka pasur kontakte me shumë persona në Kuvend.
Në bazë të kësaj, Kuvendi kishte anuluar të gjitha mbledhjet e mundshme në Kuvend, madje edhe Kryesia e Kuvendit kishte anuluar mbledhjen e saj të rregullt.
Ky institucion ka kërkuar dhe ka disa ditë qenë në pritje për të testuar gjithë punonjësit e saj.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus merr vesh se tashmë janë testuar disa deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe zyrtarët e tjerë të Kuvendit.
“Dje janë testuar disa nga stafi i i Kuvendit dhe deputetë të cilëve u janë marr mostrat nga Instituti Kombëtar për t’u testuar. Presim që rezultatet të dalin sot ose nesër, së paku kështu na është thënë”, ka thënë një burim brenda Kuvendit të Kosovës.
Varësisht rezultateve do të vazhdohet edhe me punën e Kuvendit gjatë ditëve të vazhdim.
Që nga regjistrimi i rastit të parë me koronavirus, respektivisht përhapjes së pandemisë, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 2.878 raste me COVID-19.
Dje pati edhe 71 të shëruar, duke e çuar në 1.577 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.
Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), nga sëmundja COVID-19 dje ka vdekur edhe një person, duke e çuar kështu numrin e viktimave në 51. Të gjithë këta thuhet se kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese./FaktePlus