Testi i Maturës shpërndahet sërish në Facebook
Ka nisur të shpërndahet online testi i maturës nëpër rrjete sociale.
Maturantët po i shfrytëzojnë grupet e krijuara në Facebook për t’i shpërndarë pyetjet e testit dhe të kenë lidhje me pjesëtarët e këtij grupi.
Në anën tjetër ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi ka thënë se presin që procesi i testit të maturës të zhvillohet pa asnjë problem.
Kështu është shprehur ai gjatë vizitës që e ka bërë në shkollën e mesme “Ali Sokoli”, në Prishtinë në ditën e parë të mbajtjes së testit të maturës, shkruan Koha Ditore.
“Shpresojmë se deri në përmbyllje gjithçka të shkojë ashtu siç kemi planifikuar”, ka deklaruar ministri.
Ai ka bërë të ditur se ndaj çdo parregullsie që mund të ndodhë do të pasojnë ndëshkime si ndaj nxënësve ashtu edhe ndaj vëzhguesve e komisionarëve.
E drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala ka thënë se në të gjitha shkollat janë krijuar kushte që ky test te zhvillohet si duhet dhe presin rezultate reale.
Testit të maturës sot i janë nënshtruar regjioni i Prishtinës kurse të enjten testit do ti nënshtrohen nxënësit e regjionit të Ferizajt dhe Gjilanit.