Tërmeti shkatërrues në Shqipëri, ku shkuan ndihmat nga Kosova
Tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë, ka marrë vëmendjen dhe solidarizimin absolut të rajonit dhe shumë vendeve të botës.
Nga dhjetëra vende të botës nuk ka munguar solidariteti njerëzorë dhe ndihmat e ekipeve të specializuar në emergjencat civile.
Në mesin e këtyre vendeve që i doli në ndihmë Shqipërisë padyshim ishte edhe Kosova. Madje Republika e Kosovës qysh në orët e para pas tërmetit është mobilizuar për të reaguar në ndihmë.
Tërmeti në Shqipëri la të vdekur 52 persona dhe qindra të tjerë të lënduar. Durrësi e Thumana së bashku me disa lagje të tjera u shkatërruan pothuajse plotësisht, e banorët me net të tëra qëndruan nën qiellin e hapur nga frika e ndonjë tërmeti tjetër, shkruan FaktePlus.
Shumë nga ta lëshuan edhe vendin kështu duke ia mësyrë Kosovës si vendin më të afërt për tu strehuar.
Qindra familje u strehuan në disa qytete të Kosovës, e që për ta nuk mungoi as ndihma.
Qeveria e Vendit strehoi qindra familje vetëm në qendrën inovative për strehim në Prizren. Atje nga njerëzit vullnetmirë dërguan ndihma esenciale. Këto ndihma u sistemuan në Kazërmën e FSK-së në Prizren.
E përveç shtetit edhe qytetarët e afaristët nga Kosova në forma të ndryshme janë organizuar për të ndihmuar njerëzit dhe zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.
Solidariteti i qytetarëve të Kosovës ndaj Shqipërisë është manifestuar në forma të ndryshme.
Nën organizimin e organizatave e grupeve të ndryshme, qytetarët kanë grumbulluar ndihma nga më të ndryshmet, të cilat më pas në forma të organizuara janë dërguar për në Shqipëri.
Po ashtu, edhe qindra ton ushqim e veshmbathje u sistemuan në kazermën e FSK-së në Prizren.
Mirëpo, pas disa ditë qëndrimi në Kosovë, familjet shqiptare kanë filluar të kthehen në vendet e tyre.
Ani pse shtëpitë e tyre tashmë janë të shkatërruara, ata kanë vendosur që të jenë në truallin e tyre kështu për të vazhduar jetën.
E bashkë me ta janë dërguar edhe ndihmat që u grumbulluan në kazermën e FSK-së në Prizren.
Ministria e Mbrojtës ka bërë me dije se nga kjo kazermë, ushqimet e veshmbathjet janë dërguar për ndihmë në vendet që janë prekur nga tërmeti.
Për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, nga kjo ministri kanë pohuar se të gjitha ndihmat janë nisur për në Shqipëri.
“Ajo çka vlen të theksohet është se të gjitha ndihmat nga kazerma e FSK-së në Prizren janë transporuar për në zonat e dëmtuara nga tërmeti në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media nga Ministria e Mbrojtjes.
Ndër të tjera, për ndihmë, përveç kontigjentit të FSK-së dhe Policisë që është dërguar në Shqipëri, atje janë dërguar edhe ekipet e zjarrfikësve, ekipet e shpëtimit dhe kompanitë e kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës për të ndihmuar.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 500 mijë për të ndihmuar Shqipërinë.
Ndryshe, Qendra botërore për mbikëqyrjen e tërmeteve pati njoftuar se epiqendra e tërmetit ishte në detin Adriatik, 10 kilometra afër Durrësit me një magnitudë prej 6.3 ballësh./FaktePlus