Teleskopi 10-miliardësh me pasqyrë ari, i gatshëm për ta bërë historinë
Teleskopi më i madh ndonjëherë pritet të dërgohet në orbitë në orët e ardhshme. Teleskopi “James Webb”, që ka kushtuar dhjetë miliardë dollarë, do të lëshohet përmes një rakete nga Guijana Franceze.
Për këtë projekt janë nevojitur 30 vjet për hartim dhe ndërtim, duke u vlerësuar si një nga përpjekjet më të mëdha shkencore të shekullit XXI, shkruan BBC.
Qëllimi i përdorimit të këtij teleskopi është shfaqja e yjeve e galaktikave më të vjetra. Pajisja gjithashtu do ta ketë fuqinë për ta hulumtuar atmosferën e planetëve të largëta për të kërkuar gazra që mund të japin shenjë për praninë e jetës.
Pritjet janë të mëdha, por i tillë është edhe ankthi. Për të arritur në hapësirë, teleskopi fillimisht duhet t’i mbijetojë ngjitjes 27-minutëshe, që praktikisht është shpërthim i kontrolluar.
“Webb është një mision i jashtëzakonshëm. Është shembull shkëlqyes i asaj që mund ta arrijmë, kur kemi ëndrra të mëdha. Gjithmonë e kemi ditur se ky projekt do të jetë përpjekje e rrezikshme, por, natyrisht, kur dëshiron shpërblim të madh, zakonisht duhet të ballafaqohesh me një rrezik të madh”, tha administratori i agjencisë NASA, Bill Nelson.
Emri këtij teleskopi i është vënë sipas njërit nga arkitektëve të programit “Apollo Moon”. Teleskopi do të shikojë në thellësi të gjithësisë dhe, rrjedhimisht, shumë më prapa në kohë. Në qendër të shkathtësive të tij është pasqyra e tij nga ari, e gjerë 6.5 metra.