Telefonata mes Bidenit e Zelenskyt “nuk shkoi mirë”
Biseda telefonike mes presidentëve Joe Biden të ShBA-së dhe Volodymyr Zelensky të Ukrainës të enjten “nuk shkoi mirë”, i tha televizionit CNN një zyrtar i lartë ukrainas, për shkak të mosmarrëveshje rreth “niveleve të rrezikut” nga sulmi rus.
CNN
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë e kontestoi përshkrimin e zyrtarit ukrainas, duke paralajmëruar se burime anonime po “nxjerrin të pavërteta”. Shtëpia e Bardhë, megjithatë, tha se Bideni e paralajmëroi Zelenskyn se sulmi i afërt është “mundësi e qartë”.
Në bisedë, të cilën zyrtari ukrainas e përshkroi si “të gjatë dhe të sinqertë”, Bideni e paralajmëroi homologun ukrainas se sulmi rus mund të jetë i afërt, duke thënë se pushtimi tashmë është virtualisht i sigurt, posa toka të jetë ngrirë në shkurt, sipas zyrtarit.
Sidoqoftë, Zelensky e ritheksoi pozicionin e tij se kërcënimi nga Rusia mbetet “i rrezikshëm, por i paqartë” dhe se nuk është e sigurt që një sulm do të ndodhë, tha zyrtari ukrainas, shkruan CNN, përcjell Gazeta Express.
Diskutimi i sinqertë mes dy udhëheqësve vjen në kohën kur ShBA-ja dhe NATO-ja po përgatiten për mundësinë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ndonëse ato e kanë theksuar nevojën për diplomaci, Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se pushtimi mund të jetë afër, pasi dhjetëra mijëra trupa ruse janë të grumbulluara afër kufirit ukrainas.
Sipas një zyrtareje amerikane për siguri kombëtare, biseda telefonike mes Bidenit e Zelenskyt zgjati një orë e 20 minuta. Ajo tha se biseda ishte e gjatë, serioze dhe e frytshme.