Telat e rrymës rrezikojnë familjen Sllamniku
Shtyllat elektrike gati janë këputur e telat e rrymës veç sa nuk kanë prekur tokën. Kjo është gjendja në oborrin e një familje nga fshati Henc i Komunës së Fushë Kosovës, anëtarët e së cilës janë të rrezikuar çdo ditë, por deri tani askush nuk ka ndërmarrë asgjë për të evituar rrezikun.
Telat e rrymës prej vitesh kalojnë nëpër pronën e familjes Sllamniku, por kohën e fundit ata janë bërë pengesë për të zhvilluar një jetë normale.
Kjo për faktin se në oborrin e Sllamnikut, shtyllat elektrike gati janë këputur e telat e rrymës veç sa nuk kanë prekur tokën.
E për këtë rrezik, kryefamiljari Fehmi Sllamniku thotë se është ankuar në KEDS, por ky institucion nuk ka ndërmarrë asgjë, duke i lënë në rrezik për jetë.
“Si kryefamiljar ndihem i shqetësuar për këtë problem. Anëtarët e gjuthë familjes, e sidomos fëmijët janë të rrezikuar nga këta tela të rrymës, sepse janë shumë poshtë e që mund të preken edhe me dorë. Unë i kam njoftuar me dhjetëra herë KEDS-in, por ende nuk kanë intervenuar”, ka shfaqur shqetësimin e tij Sllamniku.
Të kontaktuar nga Agjencia e Lajmeve FaktePlus, zyrtarët e KEDS-it nuk kanë dhënë përgjigje pse nuk po intervenohet për të evituar rrezikun me të cilin po përballet kjo familje.
E kryefamiljari Fehmi Sllamniku thotë se do të vazhdojë ankesat edhe në instanca tjera lidhur me rrezikun me të cilin po përballen çdo ditë për shkak të mosintervenimit të KEDS-it.
Mes tjerash, ai është lutur që të intervenohet sa më parë, deri sa nuk ka ndodhur diçka më e keqe.
Për më shumë shikoni fotografitë, ku shihen telat e rrymës të rënë poshtë dhe shtylla elektrike vetëm sa nuk shtë këputur./FaktePlus