Tejkalohen pengesat, vulat e materialet tjera gati për zgjedhje
Pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të tetorit, problemi i vulave tashmë ka gjetur zgjidhje. Kjo për shkak që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ka vendosur në favor të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), ani pse për këtë tender pati ankesa.
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) apo si njihet ndryshe edhe si “Gjykata e Tenderëve”, më 25 shtator kishte marrë vendim që të pezullojë aktivitetin e prokurimit për furnizim me vula, pasi që më 24 shtator kishte pranuar një ankesë nga operatori ekonomik “Jusuf Shalqini B.I”, lidhur me këtë aktivitet.
Në ankesën e kompanisë në fjalë thuhej se operatori fitues për vula është i papërgjegjshëm, ka mungesë profesionale, mungesë të TVSH-së, dhe gjithashtu ka pasur borxhe në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), të cilat i ka shlyer në momentin që i është kërkuar vërtetimi i ATK-së, gjë që nuk është e lejuar gjatë kohës se tenderimit.
“Gjykata e Tenderëve” bllokon prodhimin e vulave për zgjedhje
E menjëherë, pas këtij vendimi ka reaguar autoriteti kontraktues, KQZ-ja, e cila ka kërkuar heqjen e pezullimit, duke thënë se interesi publik për heqjen e pezullimit automatik është më i madh se respektimi i afateve kohore për shqyrtim.
Sipas KQZ-së, pezullimi i aktivitetit të prokurimit për të shqyrtuar ankesën në mënyrë të rregullt do të pamundësonte organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Republikën e Kosovës.
E në këtë frymë dhe shumë shpejtë është marrë edhe vendimi i OSHP-së, i cili është në favor të KQZ-së, duke u bazuar në paragrafin e 4 të nenit 104 të LPP pika (i) dhe (iii).
FaktePlus për këtë çështje ka kontaktuar edhe zyrtarët e KQZ-së, të cilët kanë thënë se pas vendimit të OSHP-së, dje (më 30 shtator) kanë nënshkruar kontratën dhe në të njëjtën kohë ka filluar procesi i prodhimit të vulave.
“Menaxheri i kontratës në bashkëpunim me Operatorin Ekonomik (OE) do të sigurohen që vulat të liferohen në kohën e paraparë”, kanë thënë nga zyra e KQZ për FaktePlus.
E të pyetur se a ka mungesë të materialeve të tjera që duhen në ditën e zgjedhjeve në KQZ kanë thënë se gjithçka është gati dhe asgjë më nuk mungon.
“Nuk mungojnë as vulat, vetëm është shtyrë furnizimi me to për disa ditë për shkak të procedurave”.
Kujtojmë se ashtu siç ka vendosur KQZ, fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit ka filluar zyrtarisht më 25 shtator, dhe do të zgjasë 10 ditë, deri më 4 tetor.
Në këto zgjedhje garojnë 20 parti, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet e sivjetme ka arritur gati në 2 milionë, saktësisht janë 1,937,868 qytetarë me të drejtë vote./FaktePlus