Të vjetrit të lëshojnë rrugë, listat të kenë njerëz me kredibilitet
Partitë politike deri të premten kanë afat për t’i përfunduar listat me kandidatë për deputetë me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Por, sfidues hartimi i këtyre listave nga partitë politike, po shihet nga ana e analistëve. Kjo për faktin se sipas tyre, subjektet politike e kanë rastin që në listat e tyre të kenë kandidatë me kredibilitet, të rinj dhe pa probleme me ligjin.
Analistët kërkojnë që partitë politike të mos e përsërisin veprimin e njëjtë ku në listat zgjedhore kanë futur për disa palë zgjedhje, njerëz me probleme ligjore, duke mos iu dhënë hapësirë emrave të rinj.
Analisti, Imer Mushkolaj, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se partitë e kanë rastin e fundit që t’i ofrojnë elektoratit njerëz me kredibilitet, e jo të fusin njerëz me probleme ligjore.
“Partitë politike së pari nuk do duhej të përfshinin njerëz që kanë probleme me ligjin, sepse është fyerje për elektoratin që njerëz të tillë të përfshihen në lista”, tha Mushkolaj.
Ai ka pasur një porosi edhe për njerëzit e vjetër të partive politike, të cilët sipas tij, duhet të lëshojnë rrugë edhe për emra të rinj në listat zgjedhore për deputetë.
“Sa i përket njerëzve që janë më me përvojë në politikë dhe që janë vazhdimisht në lista po ashtu nuk do duhej që edhe kësaj here të zinin vend vetëm ata, por do duhej t’u jepnin mundësi edhe njerëzve të rinj, njerëzve që partitë konsiderojnë prurje të reja në mënyrë që t’u mbushin mendjen edhe ndoshta votuesve që m’u për shkak të këtyre emrave që shfaqen në lista nuk i kanë votuar partitë deri tash dhe kanë kërkuar alternativa tjera, që do të thotë kanë kërkuar emra të rinj në këto lista. Besoj se kjo do të ishte formulë për secilën parti politike që të animojë, pra ta mbushë mendjen votuesve të rinj që të votojnë për ta, sepse fokusi i të gjitha partive politike do të jetë votuesi i ri, ose ata votues që zakonisht nuk dalin në zgjedhje, e jo votues që veç i kanë të garantuar si militantë ose anëtarë të partive”, ka theksuar Mushkolaj.
Edhe analisti tjetër, Maszllum Baraliu thotë se përvojat e mërhershme kanë treguar se në listat zgjedhore partitë politike kanë pasur njerëz kryesisht militantë partiak, me probleme ligjore, madje edhe servil të liderëve.
“Sa i përket përvojës në të kaluarën nga ana e subjekteve politike rreth përzgjedhjes së kandidatëve në listat e kandidatëve mund të thuhet se kryesisht ka pasur mund të them në parim, njerëz militantë, njerëz të interesave të mëdha të biznesit, njerëz që kanë qenë të lidhur më lidershipin, njerëz të besueshëm, për të mos thënë edhe të besuar edhe servil mbase, dhe faktikisht njerëz të grupeve formale e jo formale gjithsesi kanë qenë të bindur dhe besnik ndaj liderit dhe kjo është një praktikë që do duhej kësaj radhe në këto zgjedhje të ndërpritet. Do duhej që partitë vërtetë ta bëjnë seleksionimin dhe përzgjedhjen e duhur të njerëzve me vlera të merituara, të njerëzve të dijshëm dhe me vlera, të cilët do të jepnin kontributin e tyre për shtet dhe jo për pushtet”, është shprehur Baraliu.
Mushkolaj e Baraliu, thonë se listat zgjedhore do duhej të reflektonin edhe deklaratat e liderëve të partive se do t’i reformojnë subjektet që drejtojnë.
“Po zakonisht listat e kandidatëve formohen, krijohen në atë mënyrë që në to të vendosen njerëz që marrin sa më shumë vota. E nganjëherë kjo puna e reformave nuk është se lidhet me listat e kandidatëve për shkak se zakonisht në shoqërinë tonë vota marrin edhe ata të cilët mund të kenë të kaluar kriminale që konsiderohen njerëz të fortë në thonjëza, brenda partisë. Por është një tregues për partitë politike, se nëse u japin hapësirë njerëzve që kanë vlera dhe njerëzve që vërtetë përfaqësojnë diçka ndryshe prej atyre të mëparshmëve ose tregues se këto parti e kanë kuptuar mesazhin që vjen nga elektorati dhe thjeshtë po i përshtaten atij mesazhi”, theksoi Mushkolaj.
Ndërsa, Baraliu, thotë se është momenti i fundit që të ndërpritet praktika e deritashme e hartimit të listave për deputetë.
“Pra, është momenti i fundit që të ndërpritet praktika e deritanishme e përzgjedhjes së militantëve, grupeve formale e jo formale, njerëzve të bindur, për të mos thënë servil dhe të dedikuar me çdo kusht jesmen, por të zgjidhen njerëz me vlera dhe virtyte”, u shpreh ai.
Premtime se në listat për deputetë nuk do të ketë njerëz me probleme me ligjin, por njerëz të rinj kanë dhënë edhe krerët e subjekteve politike./FaktePlus