Të vjetrat nuk preken edhe pse Ligji i ri cakton distancën prej 5 kilometra për pompat e naftës
Ndonëse në draft-ligjin e ri të Ministrisë së Tregtisë parashihet që distanca ndërmjet pikave për shitjen e karburanteve të jetë jo më afër se pesë kilometra, “Fer Petrol”, “Shell” dhe “HiB Petroll”, të cilat ndodhen në Komoran nuk i kanë as nga 100 metra distancë nga njëra tjetra.
Që të tri këto kompani, tash e një kohë shesin derivate të naftës në këtë lokacion që lidh magjistralen Prishtinë – Pejë.
Konkurrenca, në këtë pjesë të rrugës, nga Llapushniku deri në Sllatinë duket se vërtetë është shumë e fortë. Pasi në vetëm 15 kilometra në njërin drejtim të rrugës, nga katër pika të shitjes së derivateve, sa ishin para dy vitesh, numri i tyre tani ka shkuar në 11, shkruan FaktePlus.
Ligji i ri për naftën i cili ka qëndruar në sirtarët e Ministrisë së Tregtisë për 9 vite rresht, tani është i gatshëm për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Ligji në fjalë në pamundësi të rregulloj distancat ndërmjet pikave ekzistuese, i ka amnistuar ato duke ju dhënë të drejtë operimi ndonëse janë thuajse ngjitur me njëra tjetrën.
Tani me rregullat e reja, kriter për ndërtimin e pikave të karburantit do të jetë largësia minimumi 5 kilometra në rrugët lokale, 10 kilometra në rrugët magjistrale dhe 20 kilometra në autostradë.
E pyetur nga FaktePlus, Ministria e Tregtisë nuk ka dhënë detaje të këtij ligji, duke thënë se i njëjti është ende në diskutim publik.
“Projektligji për tregti me naftë dhe karburante të ripërtritëshme, nuk rregullon fushën e çmimeve të karburanteve, për faktin se tek ne është ekonomi e lirë e tregut. Ndërsa sa i përket distancës së pikave të karburanteve nga një pikë në pikën tjetër, jemi në pritje të Projektligjit që është ende në diskutim publik”, thuhet në një përgjigje të shkruar.
Ndërsa kryetari i Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka dhënë detaje të këtij projektligji, duke thënë se është miratimi i tij në Kuvendin e Kosovës do të jetë një lajm i mirë.
“Në draft ligj janë të inkorporuar neni 5 dhe 6. Çka do të thotë se askush nuk do të eliminohet nga importi, Nuk do të ketë favore për askënd”, ka thënë Berjani.
Të drejtë importi sipas tij, do të kenë të gjithë ata që kanë një pikë karburanti apo më shumë dhe të pajisur me licencë valide për import.
“Kriter për ndërtimin e pikave të karburantit do të jetë largësia minimum 5 kilometra në rrugët lokale, 10 kilometra në ato magjistrale dhe 20 kilometra në autostrade”, ka thënë Berjani për FaktePlus.
Kërkesat e naftëtarëve sipas Berjanit në këtë projekt-ligj ishin që trupat inspektues të largohen nga pikat e shitjes së karburanteve, pasi këtë punë mund ta kryej edhe dogana.
Kujtojmë se më parë naftarët vetëm për lexim të certifikatës së konformitetit kanë paguar nga 60 euro, kurse tani dogana e lexon pa para.
“Polisa e sigurimit ka qenë 1 euro për litër në deponi tani do të jetë 0.50 cent për litër. Kurse polisa e sigurimit për pika të karburantit ka qenë 1 euro litra dhe tani do të jetë 0.10 për litër”, ka thënë Berjani./FaktePlus