Të rinjtë nga Kosova e Serbia dënojnë mohimin e masakrës së Reçkut nga Vuçiqi
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR Kosovo) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Serbi (YIHR Serbia), ka dënuar ashpër deklaratën e Presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, në lidhje me mohimin e masakrës në Reçak.
Vuçiqi ditë më parë përsëriti se “gjithçka ishte sajuar nga ai mashtrues botëror, fabrikues dhe oportunist, Walker”, duke iu referuar ambasadorit amerikan në OSBE, William Walker.
“Kjo deklaratë është e papranueshme! Një retorikë e tillë mohuese shkel dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre, ndërsa është kundër vlerave të paqes, pajtimit dhe drejtësisë. ne i bëjmë thirrje Presidentit Vuçiq të kërkojë falje dhe të ndalojë mohimin e krimeve të luftës të kryera në Kosovë dhe në rajon nga regjimi i Millosheviqit”, thuhet në reagimin e YIHR Kosovo dhe YIHR Serbia,
Kjo nismë gjithashtu u ka bërë thirrje të gjithë liderëve politikë në Serbi dhe liderëve politikë serbë në Kosovë që të distancohen nga deklarata të tilla “ekstremiste” dhe t’u bëjnë thirrje qytetarëve që të njohin, respektojnë dhe angazhohen në arritjen e drejtësisë për të gjitha viktimat, të mbijetuarit/at e dhunës seksuale dhe personat e pagjetur nga lufta në Kosovë.
“Ne, si të rinj nga Kosova dhe Serbia, do të qëndrojmë gjithmonë kundër mohimit të krimeve të luftës. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të kundërshtojmë narrativat nacionaliste dhe vazhdimisht do të punojmë për ndërtimin e paqes dhe pajtimit midis Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar YIHR Kosovo dhe YIHR Serbia.
Më 15 janar 1999, forcat serbe vranë 45 shqiptarë civilë në fshatin Reçak. Misioni i Verifikimit i OSBE-së, i udhëhequr nga Ambasadori Amerikan William Walker, e quajti atë “një krim kundër njerëzimit”.
Masakra e Reçakut ishte gjithashtu pjesë e aktakuzës së Sllobodan Millosheviqit para Tribunalit të Hagës, por asnjë aktgjykim i formës së prerë nuk ishte nxjerrë për shkak të vdekjes së tij gjatë procesit gjyqësor.