Të pagjeturit e luftës: Gërmimet për gjetje të varrezave masive në Serbi

Edhe 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 në Kosovë. E angazhimet për këta persona nuk janë ndalur asnjëherë. Së fundi, ka gati dy javë, prejse një ekip i mjekësisë ligjore të Kosovës po qëndron në Serbi dhe po kërkon në disa lokacione atje, ku dyshohet të ketë varrezave masive.
Anëtarët e Grupit dialogues të Kosovës për personat e zhdukur janë shprehur se ende janë duke vazhduar gërmimet në Rashkë të Serbisë te vendi i quajtur Kizhevak, për varreza masive.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka siguruar disa pamje të gërmimeve në atë pjesë, ndërsa përfaqësuesit nga Kosova kanë thënë se ende nuk kanë gjetur ndonjë mbetje mortore.
Drejtor i Instituti të Mjekësisë Ligjore dhe anëtar i Grupit dialogues të Kosovës për persona të zhdukur me Serbinë, Arsim Gërxhaliu, ka thënë për FaktePlus se është duke u punuar intensivisht për gjetje të ndonjë varreze masive në Kizhevak.
Ai tha se në bashkëpunim edhe me përfaqësues të EULEX-it, për gati dy javë janë duke hulumtuar këtë vend.
“Këtu jemi duke punuar qe dy javë për gërmime, pra ekipi i mjekësisë ligjore të Kosovës së bashku me përfaqësues të EULEX-it. Mund të themi se jemi duke punuar në një teren mjaft të vështirë, gjithsej do t’i kemi tre javë gërmime”, tha Gërxhaliu.
Ai tutje shtoi se janë gjithsej tri javë kohë për gërmime në këtë pjesë e shpreson në ndonjë rezultat.
Mirëpo Gërxhaliu thekson se gërmimet në këtë vend janë të vështira, pasi që atje janë hedhur gurë e mbeturina, të cilat i kanë bërë të vështira gërmimet.
“Deri më tani nuk kemi hasur në ndonjë mbetje mortore apo shenjë të të pagjeturve, gjithsej i kemi tre javë gërmime në këtë pjesë dhe të shohim për rezultate të reja deri atëherë. Kanë kaluar 20 vjet dhe mund të themi se në këtë vend ka ndryshime të mëdha pasi që janë hedhur e mbeturina të shumta dhe kjo po na e vështirëson punën më shumë”, tha ai.
Ndryshe, më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur si pasojë e luftës së fundit në vitet 1998- 1999 në Kosovë. Këto shifra i kishte publikuar Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilat zakonisht janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e instancat tjera relevante. Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë.
Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.
Ndërkohë ngadalësimi në procesin e zgjidhjes së rasteve të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovës, nënkupton se mbi 1600 familje vazhdojnë të presin pafund për më të dashurit e tyre të cilët u zhdukën qe dy dekada./FaktePlus


Më të lexuarat
29 vite nga Lëvizja Studentore e dhjetorit
