“Të jesh nënë” përballë dramës dhe lakmisë
Adhuruesve të artit skenik në Pejë, aktorët e teatrit profesionit të Pejës, “Istref Begolli” u dhuruan të enjten një mbrëmje të bukur artistike, me momente humori dhe emocionuese me lojën e tyre në dramën sociale “Të jesh nënë”, të autorit italian Roberto Bracoo.
Nën regji të regjisores prishtinase Sevdije Ajeti, aktorët Aida Alidemi, Flormend Shabaj, Agon Bala, Faik Zekaj, Shpresa Salihaj, Fitore Broqi, Herodita Ramshaj dhe Luan Daci kishin mishëruar personazhet e veta, sikur të nxirrnin si fotografi nga letrat e shkruara të letrarit të madh italian në fillim të shekullit njëzet.
Publiku ka mbushur përlot sallën e teatrit, nuk durohej pa e shpërblyer shpesh me duartrokitje lojën e aktorëve të cilët i merrnin me vete në situata diametralisht të ndryshme sa u përket emocioneve. Ata kanë zbërthyer dramën e lirisë së individit në raport me kërkesat e shoqërisë ku personazhi kryesor, një grua e moshës së mesme, Klaudia, është martuar me Alfredin e zhytur në borxhe dhe i pasinqertë ndaj saj.
Krejt çfarë kishte ëndërruar gjatë jetës së saj ishte të bëhej nënë. Prandaj burri i saj me të marrë vesh lajmin se Klaudia është shtatzënë kërkon të riparojë marrëdhëniet me të dhe të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës, duke mos vazhduar me marrjen e borxheve, për arsye se xhaxhai i tij i cili nuk kishte trashëgimtar, pasurinë do t’ia kalonte fëmijës së tyre, shkruan Koha Ditore.
Klaudia, e cila kishte kërkuar një jetë të saj duke mos qenë subjekt i trajtimit zakonor, por edhe në kërkim të lirisë së saj si grua dhe si nënë, ndërmerr një hap që krijon raporte të tensionuara brenda familjes./FaktePlus