Të gjithë liderët e rëndësishëm që Kurti e Osmani s’mundën t’i takojnë në Mynih
Konferenca e Sigurisë e Mynihut mbledh për çdo vit liderët e shteteve më të fuqishme në botë. Në këtë ngjarje të cilën e kryeson ish-diplomati gjerman, Ëolfgang Ischinger (dikur edhe përfaqësues i BE-së në dialogun e Vjenës mes Kosovës dhe Serbisë) – ku zakonisht diskutohen çështjet më delikate të sigurisë në botë – të paktën dy herë është trajtuar në një panel të veçantë çështja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kosovën e përfaqësuan Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti.
Të dytë, nuk arritën të takonin përfaqësues të rëndësishëm shtetesh si Nënpresidentja Kamala Harri, Sekretari Antony Blinken, Kancelari Olaf Scholz. Kosova nuk pati as takim bilateral me Ministren e Jashtme Gjermane
Sivjet, në Konferencën e Sigurisë në Mynih morën pjesë kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani. Me ta ishte edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Prej të premtes, deri dje, ata nuk kanë mundur ta takojnë ndonjë prej liderëve të fuqishëm evropianë e botërorë. Arritën të zhvillojnë takime vetëm me tre liderë shtetesh. Kurti e takoi në Mynih kryeministrin e ri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov dhe kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas. Këtë të fundit e takoi edhe Osmani.
Në këtë forum të rëndësishëm të politikës globale, në të njëjtin vend me Kurtin e Osmanin, në hotelin “Bayerischer Hof” në pjesën veriperëndimore të Mynihut, ishin edhe zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson e shumë zyrtarë të tjerë, të cilët nga atje u morën me situatën e tensionuar në Ukrainë. Kurti dhe Osmani nuk arritën që në ndonjë pjesë të atij hoteli me pesë yje, ta takonin ndonjë prej këtyre liderëve.
Hashim Thaçi, dikur si kryeministër e më pas si president, ishte përfaqësuesi më i shpeshtë i Kosovës në këtë ngjarje të rëndësishme diplomatike. Në vitin 2020, teksa ai po merrte pjesë në këtë konferencë (ishte edhe Kurti) për herë të fundit para hesapeve me Gjykatën Speciale, ishte nënshkruar edhe zyrtarisht marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për linjën hekurudhore. Thaçi aty ishte takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Ishte koha kur po shënohej përplasja e parë në distance mes kryeministrit Albin Kurti, i cili atëherë kishte ardhur në pushtet për here të pare dhe amerikanëve, që edhe në letrën e urimit, i kishin kërkuar që ta hiqte taksën ndaj produkteve të Serbisë.
Para dy vitesh, para se të shkonin në Gjermani veç e veç, kishte dështuar një përpjekje, të paktën në letër, e kryeministrit Kurti, i cili e thirrte ish-presidentin Thaçi në takim për t’i bashkërenduar qëndrimet. Kurti shkoi në Mynih bashkë me tani kryeparlamentarin Glauk Konjufca, një ditë pasi u nënshkrua marrëveshja Kosovë – Serbi, e ndërmjetësuar nga emisari i SHBA-së Richard Grenell.
Në vitin 2018, Thaçi në Konferencën e Sigurisë e kishte takuar tani presidentin e SHBA-së, Joe Biden.
Gjatë pjesëmarrjes së fundit, përveç takimeve me krerët e BE-së, Thaçi ishte takuar dy senatorët amerikanë – Ron Johnson e Chris Murphy, të cilët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë kishin kërkuar që Kosova dhe Serbia të bëjnë sakrificë për arritjen e marrëveshjes finale. Thaçi ishte takuar po ashtu edhe me Ndihmës sekretarin e Departamentit të Shtetit, Philip Reeker.
Përveç takimeve të tjera, Kurti mori pjesë në një panel diskutimi për sfidat dhe perspektivat e drejtësisë tranzicionale, ku kërkoi që Serbia t’i hapë arkivat për të zhdukurit.
Në anën tjetër, Osmani diskutoi në Konferencën për Siguri në Mynih në panelin për angazhimin për demokraci në Evropë. Me të, në këtë panel kanë diskutuar edhe Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas dhe liderja e opozitës në Bjellorusi Sviatlana Tsikhanouskaya.
Në ditën e fundit të Konferencës për Sigurisë në Mynih, Osmani mori pjesë edhe në tryezën e rrumbullakët për të diskutuar të ardhmen e Ballkanit Perëndimor si dhe për sfidat dhe mundësitë në rrugën drejt strukturave euroatlantike.