Statistikat zyrtare, në Kosovë po punojnë të vjetrit
Moshat e reja në Kosovë janë të pa punë. Po punojnë të vjetrit. Të dhënat zyrtare tregojnë se çdo vit e më shumë të papunët në Kosovë janë moshat e reja, ndërsa ata më të vjetrit figurojnë si të punësuar, shkruan FaktePlus.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin për “Gratë dhe Burrat në Kosovë”, për vitet 2016-2017.
Sipas këtij raporti, në vitin e kaluar rreth 60 për qind e moshës së re ishte e pa punë, dhe shkalla më e ulët e papunësisë është hasur në mesin e personave të moshës 55-64 vjeç.
“Rreth 60 për qind e popullsisë së moshës re në Kosovë në vitin 2017 ishin të papunë. Shkalla më e ulët e papunësisë është hasur në mesin e personave të moshës 55-64 vjeç. Për sa i përket shpërndarjes së personave të papunë, si te gratë po ashtu edhe te burrat i përkasin moshës midis 15 dhe 34 vjeç”, tregon raporti.
Ndërkohë, në vitin 2016, shkalla më e ulët e papunësisë është vërejtur në mesin e personave të moshës 45-54. Çdo vit e më shumë si të punësuar po paraqiten të vjetrit.
Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për vitin 2017 është 29.8 përqind. Shkalla e punësimit ishte më e lartë për burrat se sa për gratë: 46.6 për qind të burrave në moshë pune ishin të punësuar krahasuar me 12.7 për qind të grave në moshë pune. Krahasuar me vitin 2016 kemi një rritje të shkallës së punësimit me 1.8 për qind ku kjo rritje te burrat ishte 3.6 për qind përderisa te femrat është e pandryshuar.
Shumica e grave të punësuara kishin statusin e punonjësit, pasuar me të vet –punësuar pa punonjës, punëtore familjare të papaguara dhe në fund me të vet –punësuar me punonjës.
Pothuaj shumica e grave të punësuara gjatë vitit 2016 ishin profesioniste 28.1 për qind punëtorë shërbyese dhe shitës në dyqane dhe tregje 18.1 për qind, në profesione elementare 14.6 për qind e kështu me radhë.
Pothuaj shumica e grave të punësuara gjatë vitit 2017 ishin profesioniste 28.6 për qind, punëtorë shërbyese dhe shitës në dyqane dhe tregje 15.9 për qind, në profesione elementare 14.9 për qind e kështu me radhë.
Vitin e kaluar, arsimi si dhe kujdesi shëndetësor ishin sektorët kryesorë për gratë e punësuara. Ndërtimtaria, prodhimi, si dhe tregtia janë sektorët më të zakonshëm të punësimit për burrat. /FaktePlus