Të burgosurit me “vizita” vetëm në Skype, KMDLNj thotë se po u shkelën të drejtat
Njëra ndër masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së Covid-19, është edhe ajo që personat jashtë burgut të mos kenë kontakt me të burgosurit.
Ndonëse të burgosurit nuk kanë më vizita familjare, atyre iu është mundësuar të kenë komunikim përmes “Skype” dhe telefonata më të shpeshta.
Përveç vizitave, nga KMDLNj kanë thanë për Agjencinë e Lajmeve Fakte Plus se të burgosurit nuk kanë të drejtë të shfrytëzojnë as beneficionet që u takojnë.
Arsyeja e kësaj, sipas Behxhet Shalës, drejtor në këtë Këshill, po ndodhë për shkak se nuk kanë të drejtë të dalin jashtë objektit.
“Të burgosurit nuk kanë të drejtë as të shfrytëzojnë beneficionet që iu takojnë për faktin se nuk kanë të drejtë të dalin jashtë objektit ku ata vuajnë denimin”, ka thwnw Shala.
KMDLNj vlerëson se të burgosurve po iu shkelën të drejtat.
“Për shkak të situatës së imponuar nga pandemia , KMDLNj vlerëson se të burgosurve u shkelen të drejtat e njeriut andaj kërkon që pas përfundimit të pandemisë t’iu kompensohen të gjitha ato të drejta që iu takojnë” ka shtuar Shala.
Ai tha se Kosova është dashur të veprojë sikur shume shtete të tjera me faljen e një numri të të burgosurve.
“Realisht , si KMDLNj kemi pritur që të falen krejtësisht apo pjesërisht një numër i të burgosurve sikur që kanë bërë shtetet e tjera, por se deri më tani nuk ka ndodhur e që për KMDLNj është e pakuptimtë.
Florent Gashi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës ka thënë se edhe pse ende nuk ka asnjë të burgosur me Covid-19, kontrollet janë të vazhdueshme.
“Sa i përket të burgosurve deri tani asnjë i burgosur nuk është i prekur nga pandemia Covid 19. Krejt kjo si rezultat i planit operativ të SHKK-së, të quajtur Plani Operativ “Coronavirus”, e që në vete përmban masat parandaluse, si: ndërprerjen e vizitave familjare”, ka thënë Gashi për Fakte Plus.
Një ndër masat kundër përhapjes së pandemisë, është edhe ndalimi i transferove nëpër burgje, por jo vetëm.
“Masë tjetër parandaluese është edhe ndalimi transfereve nëpër burgje për të burgosurit dhe reduktim i transportit në gjykata dhe prokurori, në përjashtim janë vetëm rastet emergjente” ka shtuar Gashi.
Përderisa të burgosurit nuk po kanë vizita, ata po shfrytëzojnë një mundësi tjetër që e ka ofruar Shërbimi Korrektues.
“Të burgosurve iu është mundësuar të kenë telefonata me të shpeshta me familjarët e tyre si dhe komunikim virtual përmes Skype”, deklaroi Gashi për Fakte Plus.
Megjithëkëtë, çdo pranim i ri për të vazhduar në vendosjen e rregullt në burg, do të iu nënshtrohet kontrolleve mjekësore.
“Çdo pranim i ri, i nënshtrohet kontrolleve mjekësore, pastaj vendoset në fazën e karantinimit 14 ditorë, për të vazhduar me vendosjen e rregullt. Kontrolla të vazhdueshme do të ketë edhe për të burgosurit, të cilët kanë ndonjë simptomë infektive”, tha Gashi
Por, kontrolle të tilla do të ketë edhe për stafin e burgjeve.
“Gjithashtu, edhe stafi do të kontrollohet vazhdimisht nga mjekët të cilët gjenden në qendrën korrektuese dhe ato të paraburgimit.
Ndërsa për masa mbrojtëse po kontribuojnë edhe të burgosurat femra në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan dhe në Qendrën Korrektuese për të Mitur.
Gjatë muajit prill, Avokati i Popullit kishte njoftuar ka pranuar ankesa nga disa të burgosur, të cilët kanë kërkuar të lirohen nga vuajtja e mëtejme e dënimit duke iu referuar situatës së krijuar me paraqitjen e pandemisë Covid-19./FaktePlus/.