‘Të blesh një maskë apo ushqim’: Në Azinë e Jugut banorët përballen me zgjedhje të ashpra
Blije një maskë dhe lëre familjen të uritur, ose blej ushqim dhe shko në mes turmës së qytetit pa një maskë – kjo është zgjidhja e ashpër me të cilën po përballet Hayatullah Khan, një punëtor afgan që fitimet ditore i kanë rënë në më pak se 1.50 dollar gjatë pandemisë së koronavirusit.
Sikur shumë azianë jugorë, Khan nuk ka zgjidhje tjetër veçse të lë shtëpinë e tij për punë, njofton Klan Kosova.
Por, edhe pa problemin e rënies së të ardhurave nga koronavirusi, ai përballet edhe me autoritetet që i thonë se duhet të ketë një maskë.
“Unë kam fituar më pak se 100 afgani (1.21 euro) sot. Çfarë do të bëj?”, i tha ai agjencisë së lajmeve Reuters në kryeqytetin afgan Kabul.
“A duhet të blej një maskë apo ushqim për familjen time?”.
Forma e re e pabarazisë
Mbajtja e maskave në publik tani është e detyrueshme në shumicën e vendeve në Indi, Pakistan dhe Shri Lanka dhe këshillohet nga Afganistani dhe Bangladeshi, duke rezultuar në rritje të kërkesës dhe çmimeve, shkruan Al Jazeera.
Në disa vende një maskë tani kushton deri në 7 dollarë, që ka krijuar një formë të re të pabarazisë në qytete ku miliona njerëz jetojnë në kushte të rënda, johigjenike.
Meenakshi Ganguly, drejtori i Azisë së Jugut për Human Rights Watch, tha se masat e bllokimit të koronavirusit kishin dëmtuar në mënyrë disproporcionale komunitetet e margjinalizuara.
“Sigurisht, vetë koronavirusi nuk bën dallim midis princit ose varfanjakëve, racës ose fesë”, tha Ganguly.
“Por se si ndikon në ata individë ndryshon shumë varësisht qasjes së tyre në ushqim, strehim, shëndet dhe nevojat e tjera themelore”.