‘Tash kishe po i shpërndaj popullit karamele, lej foret o burrë’ – Mustafa i kërkon Kurtit ta shkarkojë Durmishin
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, po i kërkon Kryeministrit Albin Kurti, ta shkarkojë nga detyra zëvendësministrin Hysen Durmishi.
Mustafa ka shkruar në Facebook se derisa ishte ministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në koordinim me policinë dhe prokurorinë ‘ua kishte prishur strofullogun’ disa personave, të cilët i quan kriminelë.
“Kur pas shumë muajsh pune e koordinimi me policinë dhe prokurorinë ua pata prishë strofullogun plot kriminelëve në MBPZhR dhe miqve të tyre përfitues, të njëjtit kërkonin dorëheqjen time err e terr. Në fakt, ende edhe sot komplotojnë kundër meje me rrena e shpifje”, ka shkruar ai.
Mustafa thotë se zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Industrisë, Hysen Durmishi, e ka pranuar se ka tentuar të vjedhë përmes kontratës për tiketat ngjitëse për vetura.
Sot, një zëvendësministër e pranoi që ka planifikuar të vjedhë përmes kontratës monopolistike por e morri vesh krejt Kosova dhe e pezulloi kontratën. Mandej, për ngut, kishe po i shpërndaj popullit karramela. Lej foret, burrë!”, ka shkruar Mustafa.
Ai i ka bërë thirrje Kryeministri Albin Kurti që ta shkarkojë nga detyra zëvendësministrin Durmishi dhe të fillojnë hetimet nga Prokuroria.