Tarifa/Reciprociteti: 16 maune nga Serbia po presin në kufi që të kryejnë procedurat e zhdoganimit
Qeveria në detyrë e Kosovës mori mbrëmë vendim që të shfuqizojë tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe të fillojë me zbatimin e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.
Kështu në orët e para të 1 prillit pas heqjes së tarifës sipas vendimit qeveritar kanë nisur edhe të vijnë në Kosovë maunet e para me mallra.
Në procesin e zhdoganimit deri më tani janë deklaruar 16 maune me produkte të ardhura nga Serbia.
Këtë e ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.
“Deri më tani kemi deklaruar në procedurën e zhdoganimit për produkte nga Serbia 16 maune dhe ne i kemi futur në funksion pjesën e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Kurti që taksa 100 për qind për t’u aplikuar zbatimi gradual i reciprociteti si parim në marrëdhënie. Për momentin janë 16 maune të cilat janë në procedurat e zhdoganimit”, tregoi Stavileci.
Mirëpo, paraprakisht kontrollin e këtyre maunave e kryen Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit (AVU).
“Si hap e parë e kontrollit në aspektin doganor është Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit dhe ata e kanë nivelin e kontrollit të certifikatave hidrosanitare dhe atyre veterinare”, tregoi Stavileci.
E nga gjithë këto maune, disa prej tyre janë me grurë, disa me miell dhe disa tjera me produkte ushqimore, por ka edhe maune që janë me materiale ndërtimore, raporton FaktePlus.
“Janë në procedurat e zhdoganimit disa prej tyre kanë grurë dhe miell, janë produkte ushqimore që hyn në domenin e certifikatave hidrosaintarëve e kurse produkte tjera janë materiale ndërtimore e që nuk hyn në domenin e certifikatave hidrosanitare”, shpjegon zëdhënësi Stavileci.
Kujtojmë se vënia e tarifës apo taksës 100 për qind në nëntorin e 2018-tës ka ngritur reagime të shumta.
Madje Bashkim Evropian, por sidomos Amerika kërkonte që kjo tarifë të hiqet krejtësisht, gjë që nuk ishte pranuar nga kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj.
Kurse tani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paraqitur disa hapa të cilët sipas tij do të çojnë deri te heqja tërësisht e tarifës 100 për qind.
Mirëpo, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të çartë taksa duhet të hiqet pa kushte shtesë.
Kujtojmë që kjo taksë u bë edhe njëra ndër arsyet për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
E sot pas heqjes së taksës dhe vendosjes së masës së reciprocitet ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Në një reagim zyrtar kanë thënë se kundërshtojnë veprimin e fundit të qeverisë në detyrë të drejtuar nga Albin Kurti për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.
Siç thuhet në komunikatë, SHBA-ja ka qenë e qartë rreth asaj se Kosova duhet ta heq taksën pa vendosur barriera të reja, sepse sipas tyre politika të tilla lëndojnë popullin e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia. Këto masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore, dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”, thuhet në reagim.
Kur ishte vendosur tarifa
Ndryshe, tarifën doganore 100 për qind e kishte vendosur Qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018.
Që nga vendosja e taksës për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.
Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.
Taksa 100 për qind për importet nga Serbia ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet./FaktePlus