Tani kundërshtohet që Liqeni i Ujmanit të quhet “Liqeni Trump”
Serbët e veriut të Kosovës tashmë janë kundër që Liqeni i Ujmanit të pagëzohet me emrin e ish presidentit amerikan, Donald Trump.
Madje edhe mbishkrimi “Lake Trump” që dikush e kishte vendosur në hapësirat e Liqenit të Ujmanit, pas Marrëveshjes së Washingtonit, është larguar, njofton Klan Kosova.
Ata kanë thënë se duan që emri i gjigantit ujor të mbetet siç e quajnë ata, Gazivodë.
Edhe shqiptarët e zonës pajtohen që liqenit t’i mbetet emri origjinal, Ujman.
Ideja për emërimin “Lake Trump” të këtij liqeni fillimisht kishte ardhur në formë shakaje nga emisari special për dialog, Richard Grenell, në Shtëpinë e Bardhë ku po diskutohej Marrëveshja e Washingtonit, por që është marrë seriozisht nga kryeministri kosovar Avdullah Hoti i cili e ka pranuar këtë propozim.
Nga Qeveria e Kosovës nuk dhanë përgjigje nëse kjo ide do të shtyhet përpara apo nëse hesapet kanë ndryshuar tani që Joe Biden u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara.