Taksa ndikoi në rritjen e prodhimit dhe shtimin e vendeve të punës
Vendosja e taksës 100 për qind ka ndikuar që të rritet prodhimi vendor dhe në të njëjtën është shtuar numri i të punësuarve.
Kështu u tha në tryezën e diskutimit të organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, që kishte për qëllim diskutimin mbi efektet e tarifës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në ekonominë vendore.
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha tha se për herë të parë që nga paslufta kemi ulje të importeve dhe shtim të kreditimit.
“Të gjitha indikatorët që i kemi analizuar është se ka pasur ndikim pozitiv. Për herë të parë që nga paslufta kemi ulje të importeve. Gjithashtu është rritur kreditimi, veçanërisht në bujqësi. Kosova sot ka shkëmbim të mirë tregtar me vendet mike”, tha Panxha në hyrje të diskutimit, përcjell Telegrafi.
Ai shtoi se një indikator tjetër i efektit pozitiv të tarifës është edhe rritja e numrit të të punësuarve në sektorin e prodhimit.
“Ka pasur një rritje të moderuar për produktet, sidomos në muajt e parë, ku ka ardhur nga spekulimet e tregtarëve”, shtoi ai.
Panxha po ashtu tha se për shkak të vendosjes së taksës, shteti serb ka vendosur masa bllokuese ndaj eksporteve të Kosovës.