Taksa e kapërdijshme për AAK, nesër nisin bisedat me LDK-në
Burime brenda kryesisë së AAK-së theksojnë se LDK dhe partia e Ramush Haradinajt po tentojnë të gjejnë zgjidhje rreth formulimit të mocionit për rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit.
Klan Kosova mëson se AAK nuk është e gatshme qe ta lejojë formulimin e tekstit, ku në mënyrë eksplicite përmendet taksa si shkas i rrëzimit të Albin Kurtit nga pozita e kryeministrit.
Qëndrimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj është i prerë që taksa me Serbinë duhet mbetur deri në njohje.
Haradinaj megjithatë kishte deklaruar se Albin Kurti e kishte dorëzuar taksën, kur kishte komunikuar me instancat e larta amerikane, pa patur asnjë element përfitues për Kosovën.
Dy palët mbeten nesër të formulojnë tekstin, të cilin do ta votojnë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.
Kujtojmë që ishte ish- Kryeministri Ramush Haradinaj ai i cili vuri taksë 100% ndaj produkteve të Serbisë si rezultat i fushatës së kësaj të fundit për çnjohje të shtetësisë së Kosovës.
Si rezultat dialogu Kosovë- Serbi ka ngecur, ndërsa SHBA dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë bëjnë thirrje për shfuqizim të tarifave dhe ulje tensionesh mes të dyja shteteve për të mundësuar rinisjen e dialogut i cili do të rezultonte me marrëveshjen finale të paqes.