Takimi i Thaçit me Putinin ia mbylli gojën Serbisë
Pjesëmarrja e presidentit Hashim Thaçi në manifestimin qendror për shënimin e 100-vjetorit të marrëveshjes që i dha fund Luftës së Parë Botërore dhe takimi atje me liderë të vendeve të shumta duke përfshirë edhe atë rus, ka ngritur reagime nga më të ndryshmet.
Krahas zhgënjimit dhe pakënaqësisë tek politikanët e Serbisë dhe rezervave të opozitarëve të Kosovës, këtë takim e kanë konsideruar si të suksesshëm për imazhin e vendit njohës të rrethanave politike në vend.
Profesor Rrahman Paçarizi i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se takimet tilla nuk mund të cilësohen si të parëndësishme, por as të mbivlerësohen si takime bilaterale të cilat mbahen shënime të caktuara.
“Takimet të cilat zhvillohen në margjina, pra ato bilaterale e sidomos në këtë ngjarjen e përvjetorit të Luftës së Parë Botërore, nuk mund të cilësohen si të pa rëndësishme sepse janë vende ku burrështetasit shkëmbejnë ide dhe rrëfime mbi një çështje të caktuara, por as nuk mund të mbivlerësohen si takime bilaterale formale të cilat dikush mban shënime dhe mbeten”, ka thënë Paçarizi.
Mirëpo deklarata e Putinit e cituar nga presidenti Thaçi, sipas Paçarizit duhet të merret me rezerva.
“Ato që thuhen nga këto takime duhet të merren me shumë rezerva prandaj unë e marr me rezervë transmetimin e deklaratës së Putinit të thënë nga Thaçi, sepse është një transmetim i një mendimi të tjetrit. Megjithatë presidenti i Kosovës është i pranishëm me protokoll dhe me flamur të saj në këtë ngjarje botërore”, ka thënë ai.
Ndërkaq analisti Nexhmedin Spahiu thotë se takimi i Thaçit me Putinin në Paris është një ‘shuplakë’ e madhe për politikën serbe dhe një mbyllje e gojës për opozitën kosovare.
“Mendoj që ky është një sukses i madh i Thaçit dhe ai me këtë e ka dëshmuar se ai i ka lënë me gojë të mbyllur opozitën brenda në Kosovë dhe madje në Serbi dhe skenën politike të saj. Takimi i Thaçit me Putinin është po ashtu një shuplak për politikën serbe. Në fakt diplomacia jonë kosovare ka kryer takime të rëndësishme, por presidenti ka tejkaluar pritjet e takimeve me liderë botërorë”, ka thënë Spahiu për FaktePlus.
Ndryshe takimi i presidentit Hashim Thaçi me presidentin rus Vladimir Putin, nga deputetë të opozitës është cilësuar si i rrezikshëm.
Sipas deputetes së LDK-së Vjosa Osmani, shtrëngimi i duarve mes Thaçit dhe Putinit është i papritur, pasi në Kosovë një politikan shqiptar për herë të parë del haptas në mbështetje të planeve serbe dhe ruse për ndarjen e shtetit.
Kurse ish- kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili është njëherit edhe kryetar i Këshillit të Nismës, i ka shtruar shtatë pyetje pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar takimin me presidentin rus.
Si do qoftë, pjesëmarrja e Hashim Thaçit në manifestimin në Paris të Francës ka shkaktuar zhgënjim dhe pakënaqësi tek politikanët e Serbisë, të cilët u hidhëruar që kreut të Kosovës iu bë vend në mesin e liderëve më të fuqishëm të globit./Berat Kostanica -FaktePlus