Takimi Hoti – Macron në Paris për dialogun me Serbinë nisë sot në këtë orë
Kryeministri Avdullah Hoti, mbrëmë ka udhëtuar drejt Parisit për takimin që sot do të ketë me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Takimi Hoti-Macron do të fillojë në orën 11:30 në pallatin presidencial të Elizesë. Një gjë të tillë për Gazetën Express e ka konfirmuar, Xhavit Beqiri, nga kryeministria.
“Kryeministri Hoti bashkë me presidentin Macron do të nisin takimin në ora 11: 30. Pas këtij takimi, zyra e Kryeministrit do të tregojë se për çfarë është diskutuar”, ka thënë ai.
Ky takim mes Hotit dhe Macronit në kryeqytetin francez, i paraprinë Samitit virtual të Parisit, në të cilin do të marrë pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e që do të mbahet më 10 korrik.
Ndërkohë pas kësaj videokonference me Merkel dhe Macron, Hoti do të udhëtojë drejt Brukselit më 12 korrik për të marrë pjesë në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili do të ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE- së, Josep Borell.
“Në takim do të rinisin diskutimet për të punuar në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjore e obligative për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u marrë me të gjitha çështjet e pazgjidhura”, thuhet në njoftimin e Brukselit.
Kjo iniciativë e ngjeshur e Brukselit vjen pas dështimit të takimit të takimit të Washingtonit i cili ishte iniciuar nga emisari i Trump, Richard Grenell.
Tashmë nga Washingtoni pritet të caktohet një datë e re e takimeve, derisa në Kosovë me gjasë do të ketë një rikompozim institucional, pasi që presidenti i vendit nuk do të mund të udhëtojë drejt SHBA’së, pas bërjes publike të propozim-aktakuzës së Speciales.