Tahiri tërheqë një paralele interesante: Kuvendi nuk mund të sabotohet
Politologu dhe analisti politik, Mentor Tahiri nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë thirrje të mos sabotohet Kuvendi i Kosovës në çfarëdo kushte.
Tahiri është kthyer në vitin 1990 kur po tentohej të sabotohej Kuvendi si pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme që po mbretëronte aso kohe.
Ai rikujton se si ishte mbajtur seanca ato ditë, duke bërë thirrje të mos bojkohet Kuvendi pa marrë parasysh rrethanat.
Ky është postimi i tij:
KUVENDI I KOSOVËS
Në Kosovë mbretëronte gjendje e jashtëzakonshme. Me 2 Korrik 1990, deputetët (atëherë delegatët) e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në seancën e kërkuar të cilën Kryetari i Kuvendit nuk e thërriste siç kishte obligim kushtetues. Kryetari i Kuvendit, Djordje Bozovic sabotoi seancën. Regjimi kyçi dyert e Kuvendit. Deputetët u organizuan jashtë godinës. Atë ditë 114 deputetë dëshmuan se puna e Kuvendit nuk mund të sabotohet. Seanca u mbajt. Mbi punimet dhe deklaratën e shpallur atë ditë, iu dha kahje rrugëtimit politik.
Historia politike e Kosovës na mëson se Kuvendi nuk sabotohet. Përpjekjet për sabotim, shkaktojnë efekt shumëfish të kundërt. Ikja e sabotimi turpërojnë. Përballja në Kuvend nuk e dobëson askënd!