Tahiri: Ligji për Qeverinë do ta reduktojë numrin e ministrive
Kosova në mars të këtij viti pritet ta miratojë ligjin për Qeverinë, i cili parasheh zvogëlimin e numrit të ministrive. Por nuk dihet nëse kjo “tkurrje” do të fillojë me Qeverinë aktuale. Opozita kërkon që ligji të fillojë të zbatohet menjëherë pas miratimit, shkruan Gazeta “Zëri”.
Për këtë çshtje, kryesuesi i Komisionit për hartimin e projektligjit për Qeverinë, Besnik Tahiri, një prononcim për “Zërin” është shprehur se ky ligj do ta reduktojë numrin e ministrive dhe deri në fund të muajit mars të dërgohet për miratim në Qeveri pa e bërë ende të qartë nëse ky reduktim do të fillojë me këtë Qeveri.
“Për momentin grupi punues i Qeverisë është duke i parë të gjitha opsionet që ta përfshijë edhe zvogëlimin e ministrive dhe po ashtu datën e hyrjes në fuqi. Ky grup punues është duke i bërë të gjitha analizat, duke i parë edhe aspektet kushtetuese, në mënyrë që kur t’ia dërgojë Qeverisë për miratim në fund të muajit mars ky ligj të parashohë saktësisht nenet e tij në raport me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Tahiri.
Tahiri u shpreh se ende janë duke analizuar pjesën e zvogëlimit të ministrive dhe se është herët të flitet se në sa do të reduktohet ky numër. “Për momentin nuk mund të flasim për numra për shkak se jemi duke analizuar aspektet që lidhen me fushëveprimin e ministrive, madhësinë e tyre, buxhetin e tyre dhe të njëjtën kohë jemi duke i parë provizionet ligjore që hyjnë në këtë temë. Pra, nuk kemi njëherë përnjëherë diskutim, mirëpo gjithsesi ky ligj do ta zvogëlojë numrin e ministrive”, u shpreh Tahiri.
Deputetja e koalicionit qeverisës, Time Kadrijaj, në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se është mirë që Qeveria e ka sjellë këtë ligj pavarësisht nëse ndryshimet duhet të nisin me këtë qeveri ose atë të ardhshmen. “Për momentin është e mirë që qeveria ‘Haradinaj’ e ka sjellë këtë ligj, i cili do të amendamentohet në Kuvendin e Kosovës. Qeverisja është bërë pa ligj dhe nuk mund të supozojmë se kur do të nisin ndryshimet, sepse për këtë punë janë procedurat parlamentare që do të flasin”, theksoi ajo.