Tahiri: Kurti sot do të duhej të kërkonte falje për shkeljet e Kushtetutës, e jo të thurte epitete për të
Ish Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, ka shkruar në Facebook se sot përderisa shënojmë Ditën e Kushtetutës duhet vlerësuar edhe trajektoren e institucioneve tona për zbatimin e saj, e që sipas tij, kohëve të fundit tradita e respektimit të kushtetutës po nëpërkëmbët nga kryeministri në shkarkim Albin Kurti.
Sipas Tahirit sot Kurti do të duhej të kërkonte falje për veprimet kundër kushtetuese e jo të thurë epitete ndaj saj.
Postimi i Tahirit në Facebook:
Nuk është vetëm dimensioni i supremacisë juridike ndaj akteve të tjera, ajo çfarë e bën Kushtetutën tonë një instrument të qëndrueshëm e të plotfuqishëm, por janë parimet më të larta të demokracisë, legjitimitetit të pushtetit dhe ruajtjes e garantimit të të drejtave të njeriut ato që e bëjnë këtë Kushtetutë, referencën tonë të përditshme e që i japin asaj vlerën që ka si akt juridik.
Sot, përderisa shënojmë Ditën e Kushtetutës, duhet vlerësuar trajektoren e institucioneve tona që kanë vepruar mbi bazën e saj, e që përmes saj kanë mundësuar ngritjen e Republikës në rangun e një shteti bashkëkohor, demokratik e progresiv. Por së fundmi, traditën e respektimit të parimeve të Kushtetutës po e nëpërkëmbë kryeministri në ikje Albin Kurti. Këtij kryeministri në ikje që e shkeli kushtetutën disa herë e seç herë e më thellë, sot i takonte të kërkojë falje për veprimet kundër kushtetuese e jo të thurë epitete ndaj saj.
Por ai një gjë të tillë nuk e bën dot as sot, përkundrazi. Me një postim në Facebook, Albin Kurti dëshmoi se pikëpamja e tij mbi kushtetutën tonë, si një “ngrehinë” e pakuptimtë, e pabarabartë dhe e mangët, është vetë burimi i nxitjes së tij për ta shkelur atë me të dyja këmbët. Prandaj ai nuk shkelë vetëm procedurat e saj, por duke shkelur procedurat e saj, ai shkelë triumfalisht mbi rendin liberal që ka përthekuar kushtetuta jonë. Ky konceptim me paramendim i Kushtetutës së Republikës sonë, përmes një rrafshi marksist që i sheh ligjet si ngrehina e instrumente të sundimit, sot është pikëpamja dominuese e këtij kryeministri mashtrues. Pra, këtë e kishim kryeministër deri më tani. Por gjithsesi se Kushtetuta është më e madhe dhe më e fuqishme se një kryeministër mashtrues në ikje.
Prandaj, Urime Dita e Kushtetutës!