Tahiri: Kurti është bërë humorist, e ka humbur fuqinë politike

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti humorist, duke thënë se ai e ka humbur fuqinë e tij politike.
Sipas Tahirit, Kurti s’ka kujdes as ndaj njerëzve që i ka në Lëvizjen Vetëvendosej, “e lërë më për opozitën dhe partitë e tjera”.
Shefi i GP të AAK-së e ka ftuar Kurtin të përballet me zgjedhje.
“Kryeministri Kurti ia filluar të bëhet humorist, ky asnjëherë s’ka pasur kujdes për opozitën, lërë për opozitën e partive të tjera, por as për njerëzit ndryshe në partinë e vet. Nuk kujdeset për njerëzit në parti që kanë mendime të ndryshme, e lërë për partitë e tjera. Se kush sa e ka fuqinë politike na e jep populli, le të del nëse ia mban në zgjedhje dhe e sheh çka ndodh me të. Ai e dinë qe e ka humbur fuqinë elektorale politike, për këtë është bërë humorist”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Pas mbledhjes, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se më 21 shtator në orën 10:00 do të vazhdohet me pikat e papërfunduara nga seanca plenare që hapi punimet e këtij sesioni.
Ndërsa, pas gjashte votimeve në agjendë, do të vijohet me seancë të veçantë të iniciuar nga partitë opozitare në orën 13:00.
Tahiri: Dorëheqja e Kurtit, favor i madh për Kosovën
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti do t’i shërbente vendit bazuar në situatën politike të krijuar së fundmi.
Në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë se kurdo që do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, Kurti nuk do të arrijë ta marrë sërish pushtetin.
“Favori dhe shërbimi më i madh që do t’ia bëj sot Kosovës kryeministri Kurti është të japë dorëheqje dhe të shkojë vendi në zgjedhje. Vetë fakti që atij në mendje i shkon opozita, kjo tregon që ai frikën e ka pikërisht nga kjo opozitë dhe një gjë e ka tashmë të sigurt që kjo qeveri, kurdo që të mbahen zgjedhjet, ai nuk do të mund të krijojë. Ky është mandati i tij i fundit si kryeministër, nuk do t’i ketë as numrat, as mundësinë ta krijojë një qeveri tjetër”, ka thënë ai, duke iu përgjigur deklaratave të Kurtit për opozitën dhe zgjedhjet e përgjithshme, për çka të hënën në një konferencë tha se nëse do të kishte zgjedhje të reja, zhduket opozita aktuale.
Ai më tej ka njoftuar se të enjten do të shqyrtohet kërkesa e 40 deputetëve opozitarë për themelimin e një komisioni hetimor lidhur me keqpërdorimet në rezervat shtetërore.
“Një hetim parlamentar është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe do t’i ndihmojë edhe hetimit penal e në hedhjen dritë mbi keqpërdorimet që kanë ndodhur me rezervat shtetërore, përfshirë vjedhjen që ka ndodhur në vaj, në grurë dhe sheqer”, ka deklaruar ai.