Tahiri i gëzohet vendimit të Kuvendit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, e ka quajtur ditë të madhe për Kosovën miratimet e disa ligjeve për drejtësinë nga Kuvendi i Kosovës.
Tahiri u shpreh mirënjohës ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës që kanë dhënë mbështetjen e tyre në sistemin e drejtësisë.
I pari i Drejtësisë zotohet se me zbatimin e tyre do të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni si dhe do të ketë një vend të sigurt për qytetarët.
Ndryshe, Kuvendi ka miratuar dje këto reforma në drejtësi.
Ja postimi i tij i plotë:
Dje ishte një ditë e madhe për drejtësinë në Republikën e Kosovës. Pas një pune për më shumë se një vit në ridefinimin e vlerave, strukturave dhe angazhimit tonë për sundimin e ligjit, Kuvendi i Kosovës miratoi Kodin e ri Penal, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Ligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe Ligjin për procedurën jo kontestimore.
Jam tejet mirënjohës ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës që dhanë mbështetjen për reformimin e sistemit të drejtësisë. Një epokë e re do të fillojë me zbatimin e tyre, duke e bërë Kosovën një kampion në sundimin e ligjit dhe qasjen në drejtësi, një vend të sigurt për qytetarët e saj dhe adresë të gabuar për krimin e organizuar dhe korrupsionin.