Sveçla i pakënaqur me Prokurorinë: Liroi shumicën e dhunuesve në kohë pandemie
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shprehur i pakënaqur me punën e Prokurorisë gjatë periudhës së pandemisë me koronavirusin.
“Kishim mospunë të Prokurorisë, vendimet apo aktivitetet e policisë i minimizonte me vendime qesharake. Një element kriminal që shënoi rritje, si dhuna në familje dhe dhunimet, ajo i ndëshkonte me masa qesharake. Në rastet kur dhunuesi i pranonte veprat ata ose e lironin të mbrohej në liri ose në arrest shtëpiak. Ka pas rritje rreth 240 për qind. Ishin 18 dhunime, shumica janë liruar. 6 dhunime të të miturave dhe miturve dhe shumica prej dhunuesve janë liruar të mbrohen në liri apo në arrest shtëpiak. Kjo ishte e çuditshme. Me kryeministrin e ministren e Drejtësisë ftuam edhe kryesuesin e Këshillit Gjyqësor edhe Prokurorial edhe Policinë që të informoheshim dhe aty më shumë dëgjova gjuhë të OJQ-ve se të institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur viktimat e për të parandaluar potencialisht viktimat e ardhshme. Janë shifra zyrtare”, ka deklaruar Sveçla në Koha.
Ai ka thënë se ka pasur bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Kosovës, duke shtuar se në raste është befasuar për të mirë për përkushtimin dhe energjinë e zyrtarëve të Policisë.
“Ishin element kyç që Kosova të dalë ndër vendet më të mira në ballafaqim me koronavirusin. Kur ke të bësh me rreth 8000 zyrtarë e disa shërbyes të tjerë brenda Policisë, atëherë do të kesh edhe incidente të vogla, pakujdesi, por në përgjithësi, unë dhe ekipi im jemi befasuar me përkushtimin dhe energjinë që kanë treguar. Në disa momente jam befasuar për të mirë. Kërkesa e presidentit që të mos zbatohen vendimet e qeverisë ra në vesh të shurdhër. S’kemi pas asnjë zyrtar policor që ka zbatuar këtë kërkesë. Asnjë të vetëm”, ka shtuar ai.