Sveçla i kërkon kryeprokurorit marrjen e veprimeve për shkelësit e masave të Qeverisë
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, njëherësh Koordinator i Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, marrjen e veprimeve ligjore për të gjithë shkelësit e masave dhe kufizimeve që janë marrë deri më tash nga Qeveria e Kosovës.
Policia ditëve të fundit ka njoftuar për dhjetëra raste ku qytetarët janë ndaluar pasi kanë shkelur kufizimet e vëna nga Qeveria sa i përket lëvizjes.
Kërkesën, Sveçla ia ka bërë Lumezit gjatë takimit që pati të hënën me të, ka njoftuar MPBAP-ja.
“Në këtë takim u bisedua për situatën e krijuar pas përhapjes së virusit global, Covid 19, si dhe për masat e angazhimet që janë duke u bërë nga institucionet e Republikës së Kosovës, në parandalimin e përhapjes së këtij virusi. Me këtë rast, z. Sveçla kërkoi bashkëpunim nga organet e drejtësisë gjegjësisht të prokurorisë në kontekstin e marrjes së veprimeve ligjore për të gjithë shkelësit e masave dhe kufizimeve që janë marrë deri më tani nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, kryeprokurori Lumezi e siguroi ministrin se Prokuroria e Shtetit do të jetë në dispozicion dhe do bashkëpunojë ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike por edhe me qytetarët në mënyrë që kjo situatë e rëndë të tejkalohet sa më lehtë të jetë e mundur.
“Gjithashtu, Kryeprokurori theksoi se është e domosdoshme të respektohen vendimet dhe udhëzimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, vendime këto që kanë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit publik dhe janë në të mirën e qytetarëve”, thuhet në njoftim.