‘Sunny Hill Festival’ vjen me edicionin e dytë në vitin 2019
Njëra nga ngjarjet kulturore më të mëdha vitin që lamë pas ishte festivali “Sunny Hill Festival”, i ideuar nga këngëtarja prishtinase me famë botërore, Dua Lipa. Ky festival, që në edicionin e parë mblodhi në Kosovë disa artistë më famë botërore dhe artistë të mirënjohur shqiptarë, do të kthehet në vitin 2019 me edicionin e dytë.
Lajmin për gazetën “Zëri” e ka konfirmuar Alban Kastrati, nga agjencia “Republika”, që organizon këtë festival. Ndonëse ende nuk janë rrethuar datat në kalendar se kur do të mbahet saktë, organizatorët thonë se po punojnë intensivisht që edicioni i dytë të jetë edhe më i pasur se i pari.
“Festivali ‘Sunny Hill’ definitivisht do të mbahet edhe vitin që po vjen. ‘Sunny Hill’ do të kthehet me një edicion të dytë dhe me një program shumë të pasur.
Në këtë moment nuk mundem të konfirmoj datat e Festivalit ose emrat që do të marrin pjesë, sepse ne po presim përgjigje nga artistët të cilët i kemi ftuar për t’i përshtatur datat me agjendat e tyre”, bën të ditur Kastrati, i cili thekson se gjithsesi Festivali do të mbahet dikur gjatë muajve të nxehtë të verës.
“Festivali do të jetë në verë dhe do të vazhdojë edhe në edicionin e dytë të grumbullojë në Prishtinë artistë shumë të famshëm botërorë, por edhe artistë lokalë. Në këtë edicion nuk do ta kemi Dua Lipën, megjithatë do të vijnë artistë me renome, të cilët do t’i japin gjallëri këtij festivali”, potencoi Kastrati. Më tutje ai tha se ata si ekip organizativ janë duke punuar që Festivali të zgjerohet dhe të pasurohet me aktivitete tjera, përveç atyre muzikore, të cilat do ta bëjnë edhe më atraktiv.
Me rreth 13.000 bileta të shitura dhe me një program shumë të pasur artistik, me aktivitetet maratonike për tri ditë me radhë (10, 11 dhe 12 gusht 2018) “Sunny Hill Festival” gjallëroi jetën kulturore të Prishtinës verën që lamë pas.
Me qëllimin që qytetin e saj Prishtinën ta vendosë në hartën kulturore të botës, këngëtarja Dua Lipa solli disa nga artistët më të kërkuar të momentit, të cilët publiku kosovar s’ka pasur rast t’i shohë më herët. Falë Festivalit të Duas publiku i Kosovës pati kontaktin e parë edhe me shqiptarët e tjerë, karriera e të cilëve po lulëzon nëpër botë. Action Bronson, Stanaj e Gashi u mirëpritën nga publiku shqipfolës dhe të tre u shprehën se performancat në Kosovë janë të paharrueshme.
Befasi e këtij festivali ishte edhe Martin Garrix, njëri nga DJ-të më të mirë në botë për momentin, që bëri për vete publikun e Prishtinës.
Përveç muzikës, me Street Ball, kamping e “Chill Zone” festivali “Sunny Hill” solli në Prishtinë atmosferën që mbizotëron në të gjitha festivalet me nam të Evropës.
Misioni i këtij festivali shkon përtej argëtimit, sepse dihet tashmë që Dua Lipa ka edhe fondacionin e saj me të njëjtin emër “Sunny Hill Foundation” dhe 30% e të hyrave të siguruara nga shtija e biletave të edicionit të parë do të përdorën për bamirësi. Vetë këngëtarja u shpreh shumë krenare me mënyrën sesi rrodhi edicioni i parë i këtij festivali.
“Shumë krenar për babanë tim Dukagjin Lipën, i cili kishte një ide, një ëndërr dhe po bën pikërisht atë që tha se do ta bënte. Më pëlqen të mendoj se kam marrë diçka nga këmbëngulja e dy prindërve të mi, të cilët më kanë treguar se puna e vështirë do të shpërblehet gjithmonë. Ai kishte një ide për të krijuar një festival në Prishtinë (Kosovë) me shumë artistë ndërkombëtarë dhe vendorë për të ndihmuar që me të vërtetë ta vendosë Kosovën në hartë në mënyrë kulturore. Ne kemi qenë kaq me fat që të gjithë miqtë tanë do të bashkohen me ne, si dhe grupet muzikore të ndryshme në rajon”, ka thënë ajo.
Kjo ishte hera e dytë që Dua Lipa këndoi para publikut në qytetin e saj të lindjes. Ajo interpretoi për herë të parë në Kosovë para dy vjetësh pikërisht në Parkun e Gërmisë, prej nga ka ardhur ideja për këtë festival.
Ky organizim tërhoqi vëmendjen e disa medieve ndërkombëtare që erdhën në Prishtinë për ta përcjellë dhe vlerësuan projektin e këngëtares, që karrierën e saj po e ndërton mes Britanisë së Madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të bërë diçka në vendlindjen e saj