Sulmuesit e veshur si infermierë e vrasin në spital një të plagosur nga sulmi i mëhershëm
Një pacient që po trajtohej në një spital të Meksikës për plagën e shkaktuar nga plumbi është vrarë nga sulmuesit që ishin veshur si infermierë.
Hector Ramirez, 36 vjeç, po trajtohej në një spital të qytezës Ciudad Juarez, kur personat e armatosur u futën në dhomën e tij dhe e qëlluan me plumb në kokë të martën në mëngjes, thanë autoritetet.
Prokurori i përgjithshëm i rajonit Chihuahua, Jorge Nava, tha se zyra e tij është duke i analizuar pamjet e marra nga kamerat e sigurisë, ku shihen dy persona duke hyrë në spitalin e Institutit Meksikan për Shërbime Sociale rreth orës 8 të mëngjesit.
Një person i tretë ka qëndruar jashtë ndërtesës së spitalit për ta përcjellur situatën, shkruan Daily Mail.
Sulmuesit u larguan me një veturë të tipit SUV, ndërsa stafi i spitalit u mundua t’i shpëtonte rrezikut.
Prokurori Nava tha se Ramirez ka qenë duke qëndruar në spital nga 17 dhjetori pasi ishte plagosur në një sulm me armë në Ciudad Juarez.
Personi i vrarë ishte në kërkim nga policia prej vitit 2013, por nuk dihet se për çfarë akuzash. Autoritetet nuk treguan për motivin e mundshëm të vrasjes së tij dhe nuk njoftuan për ndonjë të arrestuar në lidhje me këtë rast.