Sulmoi një femër e cila dyshohet të jetë e dashura e tij, suspendohet polici i Kosovës
Një rast skandaloz ku është përshirë uniforma e shtetit, ka ndodhur sot rreth orës 03:00 pas mesnate, në afërsi të një qendre tregtare në lagjen Veterniku të Prishtinës.
Merret vesh se një zyrtar i policisë së Kosovës me inicialet A. S e ka sulmuar një femër duke i shkaktuar lëndime trupore.
Lajmin për FaktePlus, e ka konfirmuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Nga IPK kanë bërë të ditur se zyrtari policor i dyshuar është suspenduar.
“Në konsultim me prokurorinë kompetente rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt kurse zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është suspenduar”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Nga IPK-ja, kanë bërë të ditur se zyrtari policor ishte jashtë detyrës zyrtare.
“Hetuesit e IPK-së përmes “Linjës e Kaltër” (numri i telefonit pa pagesë i IPK-së 080003333), kanë pranuar nga Policia e Kosovës informacion për një incident ku dyshohej se ishte përfshirë një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare)”, thuhet në përgjigjen e tyre, për FaktePlus.
Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes në rrugën Prishtinë Ferizaj në lagjen Veterniku.
Në momentin e incidentit, 25 vjeçarja me inicialet E. T. ishte së bashku me shoqen e saj.
Sipas dëshmitarëve, në vendin e ngjarjes kishte arritur zyrtari i policisë me një veturë të tipit BMË, ngjyrë të zezë dhe pasi kishte dalë nga vetura e ka goditur viktimën duke e bërë për spital.
Në vendin e ngjarjes menjëherë ka arritur ndihma e parë e cila pas kujdesit emergjent mjekësor është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës.
Sipas mjekëve, gjendja e saj është stabile./FaktePlus