Sulmet në impiantet e Arabisë Saudite, a do të rriten çmimet e derivateve edhe në Kosovë?
Çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ka shënuar rritje të hënën. Kjo është rritja më e madhe që nga Lufta e Gjirit Persik e vitit 1991. Sulmet në stacionet e naftës në Arabinë Saudite e zvogëluan për 5 për qind prodhimin botëror.
Arabia Saudite është eksportuesi më i madh i naftës së papërpunuar në botë dhe sulmi ndaj stacioneve të naftës në këtë shtet e ka pakësuar prodhimin për 5.7 milionë fuçi nafte në ditë.
Kompania prodhuese nuk ka treguar se kur do të kthehet prodhimi i sasisë së zakonshme.
Por, në vendin tonë a do të ndikojnë këto sulme ndaj stacioneve të naftës.
Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se importi me shumicë me derivate në Kosovës është rritur.
“Aktualisht nuk ka ndonjë lëvizje te çmimit në shitjen me pakicë. Mirëpo, në importin me shumicë që e bëjnë kompanitë e derivateve, çmimi veç është ngritur. Kjo ka ndodhur pasi në organizatën IPEK, ka pasur lëvizje të çmimit pas sulmit ndaj stacioneve të naftës në Arabinë Saudite”, ka thënë për FaktePlus, Fadil Berjani kryetar i Shoqatës së Natarëve të Kosovës.
Ai ka bërë me dije se çmimet në shitjen me pakicë mund të lëvizin në ditët në vijim.
“Mund të ketë lëvizje. Çdo herë kur ka lëvizje në tregun ndërkombëtar edhe tek në ndodh ajo”.
Berjani ka treguar se aktualisht çmimet e derivateve në Kosovë sillen nga 1.15 cent deri në 1.16 cent për litër.
Ndryshe Kosova këtë vit është përballur me çmime të larta të naftës.
Qytetarët po ankohen vazhdimisht se çmimi i naftës është i papërballueshëm krahasuar me të ardhurat në Kosovë. Ndërsa në vendet e rajonit çmimi i naftës nuk është se dallon shumë nga Kosova, por paga minimale dhe ajo mesatare janë dy ose tre fish më të larta se në Kosovë./FaktePlus