“Sulm dhe goditje me këpucë”, ngritet aktakuzë kundër Xhavit Drenorit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ish kandidatit për kryetar të Drenasit nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenas”, Xhavit Drenorit, shkruan FaktePlus.
Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se Drenori gjatë muajit tetor ishte fjalosur me djalin e prokurorit Ibrahim Berisha, Ramadan Berishën ku edhe e kishte sulmuar këtë të fundit me këpucë.
“Me datë 19.10.2021 rreth orës 13:06 në Drenas, për shkak të një mosmarrëveshje të çastit me Ramadan Berishën fillimisht janë fjalosur mes vete e pastaj me dashje e ka sulmuar të njëjtin duke e goditur me këpucë”, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, ku FaktePlus e ka siguruar, gjykata ka propozuar që ndaj të pandehurit të shqiptohet udhëri ndëshkimor dënim me gjobë pa mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.
Ndryshe, Drenori kishte deklaruar dhe madje e kishte paraqitur në polici Ramadan Berishën se ishte sulmuar nga ai.
“Po, është e vërtetë që jam sulmuar. Jam sulmuar nga djali i prokurorit Ibrahim Berisha. Jam në stacion, s’mundem me fol më shumë”.
Drenori disa herë ka përmendur emrin e prokurorit të Themelores në Prishtinë, si pengesë për t’u hetuar pretendimet ndaj kryetarit aktual Ramiz Lladrovci për keqpërdorime në Drenas. Madje ai akuzonte Lladrovcin se ia ka punësuar të renë prokurorit Berisha.
Ndryshe, në zgjedhjet e së dielës në Drenas, Drenori është renditur i katërti. Ai ka marr 4.04 përqind apo 897 vota./FaktePlus/.