Suharekasi i dyshuar për dhunë në familje e ther një polic në kokë
Një zyrtar policor ka pësuar lëndime në kokë, pasi është sulmuar me thikë nga një person i cili dyshohet për dhunë në familje.
Rasti ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Samadraxhë të Suharekës, ka bërë të ditur policia në një komunikatë për media.
“Sot, me datë 10 janar 2022, rreth orë 10:50 policia në Suharekë është informuar për një rast dhunë në familje në fshatin Samadraxhë- Suharekë. Intervenimi i policisë ishte i menjëhershëm, mirëpo në momentin që kanë arritur në shtëpinë ku zhvillohej dhuna në familje, i dyshimti nuk e ka respektuar urdhrin dhe ka sulmuar zyrtarët policor më një mjet të prehtë thike që për pasojë njëri nga zyrtarët policor ka pësuar lëndime ne regjionin e kokës”, ka njoftuar policia.
Mjeku kujdestar ka konstatuar se polici është jashtë rrezikut për jetë.
“Zyrtarit policor i është dhënë ndihma e parë në vendin e ngjarjes më pastaj duke u dërguar në spitalin rajonal në Prizren. Mjeku kujdestar ka konstatuar se polici është jashtë rrezikut për jetë nga plaga e shkaktuar me thikë”, ka bërë të ditur policia.
Sipas policisë, i dyshuari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, pasi ka pasur edhe një rast tjetër të lëndimit të personit zyrtar më herët.
“I dyshimit B.K i lindur ne vitin 1981 është arrestuar nga policia, i njëjti konsiderohet person me rrezikshmëri të larte pasi i njëjti një rast të lëndimit të personit zyrtarë e kishte kryer edhe më herët. Ne lidhje me rastin është informuar prokuroi kujdestar i cili ka lëshuar aktvendim për ndalim në afat për 48 orë”, ka njoftuar policia.