Subjekti i Bekim Jasharit -parti e re apo Nisma 2
Themelimi i partive të reja në Kosovë nuk po bëhet për të dhënë alternativë qeverisëse, por për shkak të fovorizimit të individëve, të cilët nuk po e gjejnë veten nëpër partitë ekzistuese, vlerësojnë analistët.
Beadin Syla
Ditëve të fundit u raportua se kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, do të formojë një subjekt të ri politik, por rreth vetes pritet të ketë anëtarë të PDK-së, të cilët janë të pakënaqur me këtë subjekt politik.
Drejtori ekzekutiv i organizatës Demokracia Plus, Valmir Ismaili, thotë se në rrethana normale, krijimi i çdo partie të re do të duhej të ishte një mundësi shtesë për qytetarët që të zgjedhin planprogramet qeverisëse kurdo që do të mbaheshin zgjedhjet.
“Krijimi i partive të reja në Kosovë nuk po ndodhë për shkak se këto subjekte po ofrojnë alternativë qeverisëse, por për shkak se individë të caktuar nuk po e gjejnë veten në subjektet aktuale dhe po tentojnë që përmes krijimit të subjekteve politike ta faktorizojnë vetveten edhe një herë. Asnjëra nga këto parti nuk ka ndonjë të ardhme të ndritur”, ka deklaruar Ismaili për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Sipas tij, të gjitha partitë që formohen nuk do të mund ta kalojnë pragun në qoftë se nuk bëjnë ndonjë koalicion me partitë e mëdha.
“Të gjithë themeluesit e partive të reja kanë pasur një elektorat të kombinuar, që i bie se pjesërisht janë votuar si individ, pjesërisht për shkak se kanë garuar nën siglën e një subjekti të caktuar politik. Si rezultat i këtij kombinimi ata sot janë udhëheqës komunash apo deputetë. Por në të kundërtën nuk do të ishin në pozitat që janë. Si rrjedhojë, nëse këto subjekte politike futen në zgjedhjet e ardhshme si të pavarura pa ndonjë koalicion paraprak, atëherë ato do ta kenë shumë të vështirë që ta kalojnë pragun”, është shprehur ai.
Duke folur rreth idesë së Bekim Jasharit për formimin e një partie të re, por që rreth vetes do të ketë njerëz nga PDK-ja, Ismaili tha se është e drejtë e secilit që të formojë parti politike. Nëse partia e Jasharit do të përbëhej nga njerëzit e PDK-së, atëherë do të jetë një NISMA 2.
“Nuk mund të konkuldojmë apriori se a do të ketë sukses apo jo një subjekt i ri politik, kjo varet shumë nga njerëzit që do të ishin në këtë subjekt dhe shtrirja gjeografike e këtij subjekti. Nëse subjekti i z. Jashari do të jetë i përbërë vetëm nga njerëz të PDK-së, atëherë në fakt do të kemi një NISMA 2 në aspekt të ndikimit dhe numrave të votave që do të ketë ky subjekt politik”, theksoi Ismaili.
Në anën tjetër, analisti politik Artan Murati tha se themelimi i subjekteve të reja politike në parim është i mirëseardhur për demokracinë në vend, sepse pluralizmi politik është shtyllë themelore për zhvillimin e demokracisë dhe parlamentarizmit të mirëfilltë, por jo çdoherë kanë dhënë rezultate.
“Megjithatë, jo çdoherë subjektet politike që janë krijuar rishtazi kanë sjellë ndryshime të theksuara apo kanë pasur sukses të madh në zgjedhje. Është shumë e vështirë të matet suksesi i Nismës, Alternativës e disa subjekteve tjera rishtazi të krijuara, sepse këto subjekte kanë garuar në lista të përbashkëta me subjektet tjera, dhe rrjedhimisht edhe suksesi i tyre është i përbashkët me subjketet me të cilat kanë garuar”, tha ka Murati për FaktePlus.
Sipas tij, me një qasje të mirëfilltë, me politika të menduara mirë e njerëz të duhur, secili subjekt i ri do të mund të ishte kompetitiv.
Murati e quan lajm të mirë edhe thyerjen e bastioneve të subjekteve politike, me krijimin e partive të reja.
“Lajm edhe më i mirë për këtë është edhe tendenca e thyrerjes së bastioneve politike, diçka që u dëshmua pak a shumë edhe në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. Shkëputja nga një subjekt çdoherë ka mundësi ta dëmtojë subjektin prej ku shkëputen njerëzit që krijojnë partinë e re. Por sfidat më të mëdha megjithatë mbesin te subjektet e formuara rishtazi, për shkak se gjithçka duhet të fillojë nga e para: nga themelimi i strukturave e deri te programi me të cilin do të kërkohen votat nga elektorati potencial”, shtoi ai.
Javën që shkoi, djali i heroit Hamës Jashari, që udhëheq më Komunën e Skenderajt, paralajmëroi krijimin e një subjekti të ri politik me njerëz të cilët i ka rreth vetes, shumica prej të cilëve janë aktualisht anëtarë të PDK-së.
Madje, një pjesë e asamblistëve të PDK-së në Skenderaj e mbështesin kryetarin Bekim Jashari./FaktePlus