Subjektet politike tregojnë se kur do ta bëjnë publik programin qeverisës
Tashmë kur data e mbajtjes së zgjedhjeve po ofrohet, partitë politike kanë filluar të bëjnë fushatë parazgjedhore nëpër qytete e fshatra të Kosovës, dhe po flasin për program qeverisës. Mirëpo, asnjëra prej tyre deri më tani nuk ka publikuar edhe në formë të shkruar planin qeverisës me të gjitha pikat dhe prioritetet e tyre.
Secili prej kandidatëve për kryeministër nga subjektet e mëdha politike dhe koalicionet parazgjedhore, po zotohen se do të punojnë në të mirë të qytetarëve, duke përmendur luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, liberalizimin e vizave, përfundimin e dialogut me Serbinë, ndalimin e ikjes së të rinjve nga vendi e shumë çështje të tjera, shkruan FaktePlus.
Albulena Haxhiu, kandidate për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se Vetëvendosje do ta bëjë publik programin qeverisës me datën 18 të këtij muaji.
“Plani qeverisës me të gjitha pikat do të bëhet publik më 18 shtator”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa, e pyetur se cilat do të jenë pikat kyçe në të cilat do të fokusohet VV-ja në programin e saj qeverisës, ajo nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.
Kurse, sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi ka thënë se janë duke punuar në këtë drejtim dhe së shpejti do ta bëjnë publik programin.
Por, ai nuk ka dashur të tregojë datën se kur do të publikohet edhe në formë të shkruar programi i LDK-së.
“Plani qeverisës është duke u hartuar apo përpiluar dhe shumë shpejtë do të bëhet publik edhe në formë të shkruar dhe do të shpërndahen edhe broshurat për qytetarët ku në to do të jenë të gjitha pikat”, ka deklaruar Abrashi.
Kurse, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se tashmë e kanë bërë të ditur planin qeverisës. Mirëpo, pavarësisht kësaj, një plan i tillë nuk është parë që është bërë publik edhe në formë të shkruar.
Nënkryetari i AAK-së, Blerim Kuçi ka deklaruar për FaktePlus se shpërndarja e programit tashmë ka filluar.
“Të gjitha janë të njohura, e kemi pas një tubim ku është prezantuar plani qeverisës 100% Kosovë, po ashtu është shtyp dhe tash e shpërndajmë në terren. Të shkruar, të shtypur e kemi, veç ka filluar shpërndarja e programit”, ka thënë ai.
Ndërsa, nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pa dhënë më shumë detaje rreth programit qeverisës ka deklaruar për FaktePlus se publikimi i këtij të fundit do të bëhet shumë shpejtë.
“Së shpejti”, ka thënë shkurt, Krasniqi.
FaktePlus, për këtë çështje gjatë ditës ka provuar të marr përgjigje edhe nga NismaSocialdemokrate, por ata nuk janë përgjigjur.
Kujtojmë se fushata për zgjedhjet në nivel qendror fillon më 25 shtator dhe zgjat deri më 4 tetor, ndërsa të drejtë pjesëmarrje kanë 1.972.466 votues, të cilët do të vendosin për përbërjen e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.
Gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (27 gusht – 6 shtator) kanë dorëzuar aplikim për certifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsej 25 subjekte politike, prej tyre janë 20 parti politike, 4 koalicione dhe një kandidat i pavarur./FaktePlus