Stuhitë e forta përfshijnë Ballkanin, kaos në disa pjesë të Kroacisë e Serbisë
Stuhi të fuqishme të shoqëruara me shi e breshër të madh kanë përfshirë të hënën Ballkanin.
Stuhia e fortë goditi fillimisht në Slloveni, duke kaluar më pas në Kroaci e duke mbërritur edhe në Serbi e Bosnjë.
Në lindje të Kroacisë, stuhia goditi më së shumti zonën e Boshnjakut, Zhupanjës dhe Vinkovcit. Stuhia shkuli pemët, dëmtoi çatitë dhe makinat. Pati më shumë se 200 telefonata për ndihmë në Zagreb dhe përreth.
Siç njoftuan meteorologët, ajo mbërriti nga perëndimi dhe stuhia lëvizi shpejt dhe krijoi kaos të vërtetë në disa qarqe.
Stuhia më e fortë u ndje në Zurpanje, e cila, së bashku me erën e fortë dhe shiun e dendur, u shoqërua edhe me breshër të madh.
Në disa pamje të publikuara, shihet se nuk ka shtëpi të cilës nuk i janë dëmtuar tjegullat e muret.
Situatë e ngjashme ishte edhe në Serbi e Slloveni.
Reshjet e mëdha të shiut të shoqëruara edhe me breshër kanë prekur pjesët perëndimore të Vojvodinës dhe Serbinë perëndimore. Në pjesën më të madhe të vendit, është aktivizuar niveli më i lartë i paralajmërimit – alarmi i kuq i motit.
Në disa rajone ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike.