Studimi francez: Covid-19 nuk është grip
Të dhënat hedhin poshtë pretendimet që u ngritën në fillim të pandemisë për ngjashmërinë e sëmundjes me gripin.
COVID-19 sigurisht nuk është “një grip”, siç pretenduan shumë në fillim të pandemisë: koronavirusi ka vrarë tre here më shumë njerëz krahasuar me gripin sezonal.
Sipas një studimi francez, të botuar në Lancet Respiratory Medicine, i cili bazohet në të dhëna nga më shumë se 135,000 pacientë francezë, shkalla e vdekshmërisë së pacientëve me COVID-19 ishte tre here më e lartë se ajo e pacientëve me grip.
“Hulumtimi ynë është më i madhi deri më tani për të krahasuar dy sëmundjet dhe konfirmon që COVID-19 është shumë më serioz se sa gripi“, tha një nga autorët e studimit, Dr Catherine Kaden.
“Fakti që shkalla e vdekshmërisë së COVID-19 është më shumë se tre here më e lartë se ajo e gripit sezonal është veçanërisht tronditëse duke ditur se gripi në dimrin 2018-2019 ishte më i keq në pesë vitet e fundit në Francë për nga numri i të vdekurve “, shtoi ajo.
Hulumtimet gjithashtu tregojnë se pacientët e trajtuar me COVID-19 kanë më shumë gjasa të pranohen në njësitë e kujdesit intensiv: 16.3% e tyre duhej të trajtoheshin, krahasuar me 10.8% për pacientët me grip. Për më tepër, pacientët me COVID-19 u desh të qëndronin më gjatë në njësinë e kujdesit intensive se sa pacientët me grip, 15 ditë kundrejt 8.
Sidoqoftë, numri i fëmijëve dhe adoleshentëve të trajtuar me koronavirus ishte më i ulët se ata të trajtuar me grip, 1.4% e të gjithë pacientëve krahasuar me 19.5%. Gjatë periudhës së studimit, studiuesit regjistruan tre vdekje të fëmijëve nën 5 vjeç nga koronavirusi dhe 13 nga gripi.