Studentëve të Mjekësisë u ndalohet praktika në Infektivë
Studentëve të Fakultetit të Mjekësisë u është ndaluar praktika në Klinikën Infektive, që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Arsye për këtë janë rastet e dyshuara me koronavirus.
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, sot janë paraqitur gjashtë raste të reja të dyshuara për koronavirus, duke bërë që numri i rasteve të dyshuara të shkojë në tetë.
Lajmin e ka konfirmuar Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lendita Ajvazi-Berisha.
“Ne momentalisht në klinike i kemi hostopalizu gjashtë pacientë. Për momentin nuk ka nevojë për shqetësime”, ka thënë ajo.
Express merr vesh se personat që dyshohet të jenë të prekur me koronavirus kanë ardhur nga Zvicra, Anglia dhe Maqedonia.
Sipas faqes për statistika, Worldometer, më shumë se 114 mijë persona janë infektuar në mbarë botën me koronavirus.
Numri i personave të vdekur ka shkuar në 4 mijë e 27, përfshirë 3 mijë e 136 në Kinë, ku fillimisht kishte nisur përhapja e virusit të ri në dhjetor të vitit të kaluar.
Jashtë Kinës, nga virusi Covid-19 kanë vdekur qindra të tjerë, përfshirë 463 në Itali, 237 në Iran, 54 në Korenë Jugore dhe 27 në Shtetet e Bashkuara.