Stresi në punë, çka e shkakton dhe si ta trajtojmë?
“Stresi dhe ankthi në punë kanë pak të bëjnë me punën dhe shumë me menaxhimin dhe udhëheqjen e dobët” – Simon Sinek
83% e profesionistëve në SHBA kanë stres në punën e tyre, kjo sipas një sondazhi të realizuar kohëve të fundit nga Everest College. Arsyet e këtij stresi janë ngarkesa në punë, pagesa e ulët, mungesa e krjimit të një balance punë-shtëpi, mungesa e mundësive për zhvillim profesional, mungesa e sigurisë në punë dhe moszgjedhja e fushës së duhur.
Stresi në punë nuk është diçka e pazakontë. Në një moment të caktuar, secili nga ne mund ta ketë ndjerë stresin e punës. Mirëpo, stresi i tepërt në punë mund të shkaktojë probleme në shëndetin mendor dhe fizik të punëtorëve, andaj duhet të trajtohet sa më parë.
Drejtoresha e Smart World TV në RTV21, Belma Bajrami-Kastrati, në një intervistë për KosovaJob foli për shkaqet e stresit në punë. Ajo përmendi ambientin e punës, aftësitë e punëtorit për t’i përfunduar punët, sigurinë në punë, etj.
“Stresi në punë është një problematikë botërore. Stresi në punë ndikon drejtpërdrejt punën sepse nëse një punëtor është i stresuar, ai nuk do të mund të performojë mirë dhe në fund të ditës bie produktiviteti . Stresi në punë varet edhe nga vetë personi, për dikë ajo çka është stres, për tjetrin konsiderohet sfidë. Varet shumë edhe nga aftësitë e menaxherit për ta identifikuar stresin e punëtorit, ta kuptojë nëse është stres i punës apo stres personal dhe të veproj sipas situatës. Gjithashtu, menaxheri (përgjegjësi) duhet ta identifikojë sa mundet një punëtor të përballojë punën që i është dhënë sepse edhe mos përshtatja e aftësive të punëtorit me vendin dhe detyrat e punës krijon stress. Probleme të tjera që kontribojnë në stresin në punë janë: ambienti i punës, marrëdhëniet me kolektivin kanë dhe sigurisht rol shumë të madh luan siguria në punë”,
Sa i përket sigurisë në punë, ajo theksoi çështjen e kontratave të punës të cilat nuk janë shumë mirë të rregulluara ngase kryesisht kompanitë bëjnë kontrata 1-vjeçare, kësisoj rrisin stresin e punëtorit.
Dallimet gjinore në vende të punës i kontribuojnë stresit
Temë shumë e përfolur jo vetëm në Kosovë por edhe globalisht, është diskriminimi në punë. Znj. Belma nënvizoi këtë dukuri negative që ka të bëjë me trajtimin ndryshe të dy gjinive e që në Kosovë kjo është akoma më e theksuar se në botë.
“Një burrë menaxher pranon të ardhura më shumë se sa një grua menaxhere, kjo është shumë e shpeshtë. Po ashtu, një fenomen i çuditshëm që zë vend në Kosovë, ka të bëjë me moshën. Meshkujt në moshë po konsiderohen ekspertë gjersa gratë po konsiderohen të moshuara. Një 50 vjeçar me përvojë pune do të konsiderohet ekspert ndërsa një grua do të konsiderohet vetëm një e moshuar. Kjo është pakëz e frikshme sepse rrallëherë do të dalë dikush ta kundërshtojë duke thënë se kjo 50 vjeçarja është poashtu eksperte. Ky diskriminim shkakton stres dhe të fut në depresion si gjini femërore dhe ti detyrohesh të hapësh një biznes tëndin ose të qëndrosh në një punë ku nuk përparon, sepse konsiderohesh “e moshuar” ”
Produktiviteti është ndër gjërat kryesore që preket nga stresi në punë. Kur një punëtor pushtohet nga stresi i punës, në mënyre indirekte ndikon edhe pjesën tjetër të stafit, duke kaluar në një stres kolektiv.
“Produktiviteti është kryesor për punëdhënësin, për shkak se kjo situatë mandej shkon zingjir dhe pastaj nuk ndikohet vetëm produktiviteti i atij punëtori por tërhiqën edhe një pjesë e kolegëve, duke kaluar nga një stres individual në atë kolektiv, çka pastaj ndikon kompaninë në shumë aspekte, duke e prishur edhe kulturën e kompanisë. Kështu fillon stagnimi dhe një punëdhënësi i prishet e gjithë ajo çka më herët ka qenë e rregulluar”,
Identifikimi i burimit të stresit sjellë motivimin e punëtorit
Identifikimi i burimit të stresit automatikisht sjellë zvogëlimin e stresit si dhe produktivitetin e punëtorit. Nëse një punëtor ka stres ose jo, më së miri mund ta dijë menaxheri i kompanisë. Stresit i kontribuojnë edhe shumë gjëra të tjera si mospërshtatja e pozitës së punës me kualifikimet e punëtorit, oraret e tejzgjatura etj.
“Menaxherin po e quaj psikologun e kompanisë deri tek CEO (drejtori). Kjo varet nga hierarkia e një kompanie. Menaxherët e mirë janë ata që i bëjnë këto identifikime dhe si të tillë edhe reagojnë. Nëse nuk përshtatet pozita e punës me profilin e punëtorit, atëherë duhet ndërmarrë diçka që punëtorit t’i adaptohet pozita e punës dhe të ndjehet rehat në atë vend pune. Sigurisht, oraret e tejzgjatura, pa kompensime i kontribuojnë këtij stresi, për shkak se secili punëtor është i përgatitur të punojë me shumë vullnet, në rast se puna i shpërblehet”,
Ndonjëherë, sipas Znj.Belma punëtorët i shkaktojnë stres edhe vetëvetes duke pasur pritshmëri shumë të larta nga puna që ata bëjnë. Kjo vjen si rezultat i mungesës së përgatitjes shkollore për tregun e punës, sepse kur studentët përfundojnë universitetin kryesisht kanë pritshmëri të larta krahasuar me realitetin në Kosovë. Ajo këshillon të rinjtë që të kuptojnë se sa e rëndësishme është një punë praktike, që ata të kenë një bagazh të punës dhe që drejtë suksesit duhet ngjitur shkallë-shkallë.
“Punëtorët nuk i lënë kompanitë por i lënë punëdhënësit”
Studimet globale kanë treguar që 79% e punëtorëve heqin dorë nga vendi i punës për shkak të mungesës së vlerësimit. Punëtorët thonë se ata nuk i lënë kompanitë por i lënë punëdhënësit e tyre.
Menaxherët, sipas Znj. Belma, shpeshherë e tejkalojnë pa e trajtuar procesin e identifikimit të problemeve që një punëtor ka në raport me punën. Ajo tha se nuk duhet harruar fotografinë më të madhe, që është ajo që kompaninë e bën ekipi, dmth secili punëtor e krijon firmën, prandaj një punëdhënës duhet të kujdeset për shëndetin mendor dhe atë fizik të atyre njerëzve që e ndërtojnë atë kompani.
Një rëndësi të veçantë kanë edhe “performance appraisals” apo vlerësimet e performancës, të cilat Znj. Belma tha se janë tregues në lidhje me punëtorët dhe zgjidhin shumë probleme lidhur me gjendjen momentale të tyre. Që punëtorët të ndjehen mirë psikologjikisht, ajo theksoi se pas identifikimit të bazës së problemit, punëdhënësi e gjen edhe zgjidhjen.