Stafi mjekësor nga një fshat i Fushë Kosovës ende mbetet i izoluar, bëhet zëvendësimi
Më shumë se 150 raste me koronavirus janë regjistruar që nga 1 qershori e deri më sot në Kosovë, duke çuar numrin e rasteve aktive në mbi 300.
Statistikat tregojnë se numri i të infektuarve është rritur shumë më shumë sesa ai i të shëruarve. Vetëm të dielën 40 persona u konfirmuan me koronavirus, ndërkaq gjashtë pacientë u raportuan të shëruar.
Përkundër thirrjeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për mbajtje të maskave, numri i qytetarëve të cilët nuk po i respektojnë udhëzimet është i madh. Kjo ka bërë që ky Institut në vazhdimësi të bëjë thirrje për kujdes.
Deri tash numër më të madh të të infektuarve e ka Komuna e Prishtinës, Vushtrrisë, Prizrenit, Fushë Kosovës, Obiliqit, dhe kjo sipas IKSHPK-së ka ardhur nga mos mbajtja e distancës dhe mos mbajtja e maskave.
Kjo ka bërë që këtyre ditëve disa persona të vetizolohen për të parandaluar përhapjen e mundshme të koronavirusit.
Përveç Vushtrrisë që ka numër të lartë të infektimeve, njëjtë me numër të madh infektimesh po përballet edhe Komuna e Fushë Kosovës.
Në këtë komunë janë 23 raste prej të cilave 11 janë vetëm në fshatin Miradi e Poshtme.
Në këtë fshat ditë më parë u regjistruan disa raste. Nga rastet e fundit, njëri nga të infektuarit kishte vizituar qendrën mjekësore në këtë vend.
Kështu, stafi mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Miradi e Ulët në Fushë Kosovës është vetizoluar, pasi që disa u kanë shërbyer disa pacientëve të këtij fshati, të cilët kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.
Mirëpo kjo qendër nuk ka mbetur keq për staf mjekësor. Kjo pasi që është zëvendësuar me staf tjetër mbështetës dhe puna është vazhduar me shërbime për qytetarët e kësaj ane.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Ai thotë se puna në këtë qendër është ndërprerë vetëm derisa është dezinfektuar hapësira si dhe menjëherë është plotësuar numri i stafit mjekësor kështu duke u zëvendësuar me staf tjetër.
“Në komunën tonë janë 23 raste me koronavirus, 12 në Fushë Kosovë dhe 11 raste të tjera në Miradi të Poshtme. Gjendja e tyre është stabile dhe menaxhimi është i mirë. Mund të konfirmojmë se stafi i Shtëpisë së Shëndetit në këtë fshat është izoluar pasi që njëri nga të infektuarit ishte izoluar në këtë ambulancë”, ka thënë Topalli.
Kujtojmë se që nga 1 qershori Kosova ka hyrë në fazën e tretë të lehtësimit të masave, ku ndër të tjera janë hapur kufijtë, çerdhet dhe gastronomia. Nga ajo kohë numri i të infektuarve është shtuar në numër të konsiderueshëm. Sipas shifrave zyrtare, deri tash janë 1263 persona të infektuar, 912 janë shëruar, kurse 31 kanë vdekur./FaktePlus