Sqarim për punëtorët pa kontrata, si mund të përfitojnë paga nga shteti
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka publikuar sqarime në lidhje me pakon emergjente të Qeverisë së Kosovës, e cila u hartua për të ndihmuar qytetarët e bizneset për përballjen me pasojat e pandemisë COVID-19.
Disa nga pyetjet më të shpeshta të cilat i kanë bërë punëtorët në lidhje me këtë pako, kanë qenë për punëtorët të cilët punojnë pa kontrata dhe për ata të cilët humbin vendin e punës si pasojë e vendimeve të Qeverisë së Kosovës të marra për masat parandaluese të përhapjes së coronavirusit.
Në këtë pako të emergjencave parashihet ndihmë edhe për punëtorët pa kontrata por edhe për ata që humbin venndin e punës në kohë të pandemisë, ka sqaruar Bislimi,
“Ne jemi të vetëdijshëm që një pjesë e punëmarrësve janë duke punuar pa kontrata. Ky lloj i angazhimit merr dy forma: ose punëtorët punojnë pa kontrata të vlefshme, por punëdhënësi i paguan rregullisht kontributet pensionale dhe obligimet tatimore; ose punëtorët angazhohen komplet në “të zezë”. Në rastin e parë mungesa e kontratës është gjithsesi problematike dhe ka nevojë të adresohet, POR kjo nuk ka efekt për pakon e masave emergjente. Kjo nënkupton, që për ne, në këtë fazë, mjafton informacioni që punëdhënësi i ka paguar kontributet pensionale dhe obligimet tatimore, andaj këta punëmarrës përfitojnë nga pakoja në të gjitha ato rastet kur punëdhënësi argumenton vështirësi financiare si pasojë e masave të qeverisë (pika 1.3.1 e pakos)”, sqaron Bislimi.
Ai ka shtuar se edhe për punëtorët që kanë punuar tërësisht në “të zezën”, qeveria do t’ua mundësoj punëdhënësve që të fusin këta punëtor në listat e tyre të pagave për muajin mars.
“Për ata të cilët kanë punuar në “të zezën”, qeveria ka hapur një dritare që u mundëson punëdhënësve të fusin këta punëtorë në listat e tyre të pagave për muajin mars, dhe t’i pajisin me kontrata një vjeçare. Pastaj me efekt të menjëhershëm, këta punëtorë bëhen pjesë e përfitimeve nga pakoja (pika 1.14 e pakos). Në rast se nuk ndodh kjo, qeveria inkurajon punëmarrësit që të raportojnë statusin e tyre në administratën tatimore të Kosovës. Nëse punëdhënësit preferojnë të rrezikojnë edhe më tej operimin “në të zezën” dhe të ballafaqohen me konsekuencat ligjore përkatëse, atëherë punëmarrësit e prekur në raste të caktuara mund të përfitojnë nga pika 1.15 e pakos (shiko shpjegimin numër 3)”, shkruan Bislimi.
Masat e marra nga Qeveria e Kosovës, në mes të muajit mars për parandalimin e përhapjes së coronavirusit, ka ndikuar edhe në bizneset kosovare, dhe për më tepër ka ndikuar në atë masë sa puëntorët kanë humbur edhe punën e tyre.
Në pakon emergjente është paraparë që edhe këta punëtorë të përfitojnë nga kjo pako, me kusht që të plotësojnë disa kushte.
“Nëse ka punëtorë të cilët e kanë humbur vendin e punës pas shpalljes së masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në mesin e marsit 2020, atëherë këta punëtorë përfitojnë nga masa e tetë e pakos emergjente në shumën e 130 euro për tre muajt e ardhshëm (gjithnjë nën supozimin se në ndërkohë nuk krijojnë marrëdhënie të re të punës). Ministria e Financave dhe Transfereve do të del shumë shpejt me elaborimin e procedurave (shumë të thjeshtësuara) për aplikim. Qeveria inkurajon punëdhënësit që sa herë të jenë në gjendje, të ruajnë fuqinë e tyre punëtore, meqë në afat të mesëm kjo u levërdisë edhe vetë bizneseve”, thuhet në sqarimin e Bislimit.
Bislimi ka theksuar se kjo vlenë vetëm për punëtorët të cilën e kanë humbur vendin e punës për shkak të vështirësive në përballimin e pandemisë.
“Gjithashtu duhet skjaruar që kjo masë i dedikohet vetëm atyre që vendin e punës e kanë humbur si rezultat i vështirësive në përballimin me pandeminë e jo si rezultat i problemeve tjera me punëdhënësin apo si rezultat i përfundimit të kontratave ekzistuese të punësimit. Në rast se punëtorët e larguar kanë qenë duke punuar pa kontrata pune, atëherë opsioni i vetëm mbetet mundësia e përfitimit nga masa numër 15 e pakos emergjente (Shiko skjarimin 3)”, shkruan ministri i Financave dhe Transfereve.